Leka Zogu në reanimacion. Mjekët: Probleme me zemrën dhe me mushkëritë

Nov 17, 2011 | 11:39

Leka Zogu i Parë

TIRANE/ Shtrohet në Neurokirurgji. Mjeku Petrela: Gjendja e rëndë. Orët e ardhshme, vendimtare.
Pretendenti për fronin në koma, probleme me zemrën e mushkëritë
.

Që prej mbrëmjes së djeshme, jeta e pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu i Parë, ndodhet në fije të perit. Ai është dërguar me urgjencë në spital pasditen e së martës, pasi shfaqi probleme të rënda shëndetësore, por mbrëmjen e djeshme mjekët konfirmuan se ai ndodhet në gjendje kome.
Në orët e vona të ditës së martë, 72-vjeçari është transportuar në reanimacionin e Neurokirurgjisë, në Spitalin Nr. 5 në Tiranë, nën kujdesin e shefit të këtij pavijoni, Mentor Petrela. Sipas burimeve nga ky spital, Leka Zogu i Parë ka pësuar një fibrilacion arterial, formë e aritmisë, çka për specialistët do të thotë që ka rrezik që pacienti të pësojë infarkt ose hemorragji cerebrale. Gjithashtu, prej kohësh 72-vjeçari ka shfaqur shqetësime të theksuara në mushkëri, çka e ka rënduar gjendjen e tij shëndetësore kohët e fundit. Të njëjtat burime nga spitali ku po ndiqet intensivisht pretendenti për fronin mbretëror, bëjnë të ditur se Leka Zogu ka mbërritur në spital pa asnjë lloj reagimi, me një temperaturë trupore të ulur ndjeshëm, deri në 35.2 gradë celsius. Shefi i Pavijonit, Mentor Petrela, theksoi mbrëmë faktin se Leka Zogu ka vuajtje multisistemike, por që shqetësimet kryesore i ka në zemër dhe mushkëri. Deri afër mesnatës së djeshme gjendja e tij, sipas mjekëve, ka qenë tepër kritike, pasi ai kaloi në koma. Për mjekët, 72 orët e ardhshme janë vendimtare për jetën e Leka Zogut të Parë, nëse trupi i tij do të reagojë për të përballuar sëmundjen ose jo. Për shkak të kësaj situate delikate, për momentin është përjashtuar dhe mundësia për ta transportuar pacientin në një spital më të specializuar jashtë vendit.
Prej kohësh, për shkak të shëndetit të përkeqësuar, favorizuar dhe nga anoreksia, Leka Zogu i Parë ishte tërhequr thuajse plotësisht nga jeta aktive politike dhe shoqërore. Në vend të tij funksionet publike kryhen nga i biri, Princ Leka dhe drejtuesit e Partisë së Legalitetit, të cilët janë pro monarkisë. Vitet e fundit 72-vjeçari lëvizte vetëm me anën e një karroce me rrota, si pasojë dhe të një dëmtimi në këmbë dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore të tij. Me simptomat e shfaqura mbrëmë, mjekët nuk shprehen optimistë, duke deklaruar se gjendja është kritike. Sipas tyre, stafi i neurokirurgjisë është në gatishmëri për të ndjekur intensivisht gjendjen e Leka Zogut. Mësohet se pranë tij në spital ndodhet dhe i biri me të fejuarën, si dhe mbështetës të familjes mbretërore në Tiranë.

Jeta e Leka Zogut
Leka Zogu i Parë është fëmija i vetëm i mbretit shqiptar Ahmet Zogu dhe mbretëreshës Geraldinë. Ai u lind më 5 prill 1939, vetëm dy ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Pas arratisjes dhe vendosjes në mërgim, më 1957-n, në Paris i ati e kurorëzoi atë si pasues të tij dhe trashëgimtarin e kurorës mbretërore shqiptare. Deri në vitet e fundit para se të kthehej me familjen e tij në Shqipëri, Leka Zogu jetoi në Afrikën e Jugut. Kthimi në atdhe u shoqërua me një sërë incidentesh, duke nisur nga bllokimi në aeroport i një sasie armësh, që nga vetë Leka Zogu u cilësuan se ishin trofe. Në vitin 1997, shqiptarët votuan kundër në referendumin për monarkinë. Shtatë vjet
më parë ndërroi jetë në Tiranë bashkëshortja e Leka Zogut, mbretëresha Suzanë.

© Panorama.al

Te lidhura