
Të premten në mbrëmje pretendenti për fronin mbretëror kaloi atak kardiak.
Mbreti Leka Zogu I nuk e ka kaluar akoma gjendjen kritike shëndetësore, pavarësisht se ka shfaqur shenja stabilizimi. Familja mbretërore bëri të ditur dje gjendjen e pretendentit të fronit mbretëror. Përmes një deklarate për shtyp zëdhënësi i oborrit mbretëror dha disa detaje më shumë mbi shëndetin e Leka Zogut I. “Gjendja e mbretit Leka I është disi më e stabilizuar. Ka një frymëmarrje të asistuar dhe është i vetëdijshëm dhe ka komunikuar me princin Leka II . Megjithatë, gjendja shëndetësore e tij vazhdon të mbetet kritike”, tha zëdhënësi para mediave ditën e djeshme. Ndërkaq, nga ana e familjes mbretërore u bë një falënderim i veçantë për ekipin mjekësor nën drejtimin e prof. Mentor Petrela dhe dr. Kliti Pilika, që po asistojnë pretendentin për fronin mbretëror që nga shtrimi i tij në spital. Deklarata e familjes mbretërore erdhi pas komplikacioneve të së premtes në mbrëmje që shfaqi mbreti, të cilat falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, arritën të kalohen dhe situata e tij shëndetësore është disi më e stabilizuar. Leka Zogu I është i shtruar në reanimacionin e Qendrës Universitare në Tiranë qysh prej datës 17 nëntor, nën mbikëqyrje mjekësore non-stop, për shkak se pasditen e kësaj dite shfaqi probleme me frymëmarrjen. Nga ana e mjekut Mentor Petrela, diagnoza u përmblodh në pak fjalë, duke argumentuar se mbreti po mjekohet për vuajtje multisistemike, ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe e mushkërive, ndërkohë që gjendja e tij u përshkrua si relativisht e rëndë, por nën kontroll dhe nën terapinë e nevojshme. Sipas Petrelës, mbreti vuan në mënyrë kronike nga dëmtime të disa organeve, të cilat për shkak të moshës, kanë përkeqësuar funksionimin e tyre. Prej vitesh pretendenti për fronin mbretëror ka shfaqur probleme me rrugët e frymëmarrjes dhe tendenca e anoreksisë së theksuar. Pas komplikacioneve të fundit, nga ana e mjekësve është deklaruar se mbreti do të qëndrojë i shtruar në spital dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve sa të jetë e nevojshme dhe do të jenë bluzat e bardha ato që do të gjykojnë për përmirësimin e tij. Nga ana e familjes mbretërore, gjithçka i është lënë në dore mjekëve shqiptarë dhe vetë doktor Mentor Petrelës, i cili prej vitesh kujdeset për shëndetin e mbretit. Deri më tani, prej tyre nuk është kërkuar mundësia e transportimit të të sëmurit jashtë vendit. Një ditë pas shtrimit të Leka Zogu I në spital, kanë vijuar edhe vizitat e krerëve të shtetit, siç ishte vizita e Presidentit Bamir Topi apo e Kryeministrit Sali Berisha, vizita të cilat ishin edhe të shkurtra për shkak të gjendjes së mbretit në ato ditë.
NERTILA MAHO











