Leka Zogu I, i vetëdijshëm në reanimacion

Nov 18, 2011 | 8:49

Shefi i Neurokirurgjisë, Mentor Petrela: Ka disfunksion prej vitesh të disa organave. Është në gjendje kritike. Batutat gjatë vizitës së Berishës: Eh… duhanin nuk mund ta lë

Të martën pasdite, rreth orës 17:00, ai u transportua me urgjencë në reanimacionin Shërbimit të Neurokirurgjisë. Nga sa pohuan bluzat e bardha, pacienti shfaqi vështirësi në frymëmarrje dhe për disa orë u intubua me oksigjen. Më pas, gjatë natës, gjendja shëndetësore u përmirësua dhe dje Leka Zogu ishte i vetëdijshëm, madje ka komunikuar me krerët e shtetit, të cilët e vizituan në spital. Nuk kanë munguar edhe batuat për duhanin, të cilin pretendenti për fronin mbretëror e konsumon prej shumë vitesh. “Mjekët janë optimistë, dhe kjo situatë do të kapërcehet”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës së tij në pavijon. Leka Zogu gjithashtu miratoi: “Edhe unë jam optimist”, tha ai. Ekrem Spahia, një nga mbështetësit e pretendentit për fronin mbretëror dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, ishte i pranishëm në këtë takim, si dhe brenda sallës së reanimacionit gjatë gjithë paradites. “Kemi bërë një marrëveshje që të lërë duhanin, dhe më pas do të jetë shumë më mirë. Pasi ta lërë duhanin, por jo sot, më vonë”, tha Spahia gjatë vizitës së Kryeministrit. Por duket se pretendenti për fronin mbretëror e ka të vështirë të shkëputet nga ky ves i vjetër. “Eh, duhanin… nuk e lë dot”, tha ai.
Gjendja shëndetësore
Dje në reanimacionin e Neurokirurgjisë nuk mund të hynte askush përveç personave që lejoheshin nga familjarët e pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu i Parë. Jashtë, një truprojë monitoronte çdo lëvizje, ndërsa gjatë gjithë paradites, në ambientet e brendshme të reanimacionit ka qëndruar i biri, Princi Leka dhe disa familjarë të tjerë. Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, mjeku që është kujdesur prej vitesh për shëndetin e Leka Zogut, pohoi se ai vuan në mënyrë kronike nga dëmtime të disa organeve, të cilat për shkak të moshës kanë përkeqësuar funksionimin e tyre. Petrela pohoi se Leka Zogu është në gjendje të ndërgjegjshme, por ende në luftë për jetën. “Mbreti ka një sëmundje që quhet multisistemike, që do të thotë se janë disa sisteme, të cilat janë të interesuara (të prekura) dhe që kanë sjellë një vuajtje. Për këto arsye u shtrua në reanimacionin tonë”, tha Petrela. Ai shtoi se pacienti nuk ka kaluar në koma dhe ka qenë i kthjellët përgjatë gjithë kohës. “Të vetmet probleme janë ato që theksova, të rëndimit të sistemeve, të cilat kanë ardhur gradualisht dhe jo në mënyrë akute. Sistemet nuk mund të jenë të njëjta si te një 70-vjeçar dhe te një 18-vjeçar”, tha Petrela. Ai shtoi se Leka Zogu do të qëndrojë në spital për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, por edhe do të gjykohet nga ana e bluzave të bardha për përmirësimin e shëndetit. I pyetur nëse ka gjasa që shëndeti i pretendentit për fronin mbretëror ka gjasa të rëndohet, shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë theksoi se vetë fjala  reanimacion do të thotë në kufijtë mes jetës dhe gjendjes më kritike. Sipas Petrelës, nuk është parë mundësia e transportimit të të sëmurit jashtë vendit. “Nuk është parë kjo mundësi, madje as është kërkuar nga familjarët, pavarësisht nga disponibiliteti i shtetit, sepse është në ato faza dhe parametra që nuk ka nevojë për ndonjë teknologji apo ekspertizë më të specializuar”, tha Petrela.

Vizitat,Topi e Berisha nderojnë me :”Madhëria e Tij”
I janë drejtuar me nderimin “Madhëria e Tij”. Dje, pretendentin për fronin mbretëror, Leka Zogu i Parë, e vizituan në spital krerët më të lartë të shtetit. Paradite në pavijon ishte edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili për mediat shprehu optimizmin se gjendja shëndetësore e Lega Zogut të Parë është më e mirë. “Një gërshetim patologjie komplekse, por gjendja dhe parametrat në tërësi, siç më njofton ekipi që ndjek në mënyrë permanente Madhërinë e Tij, Leka I, ka shenja të qarta përmirësimi. Ajo që mund të them është se komunikova shumë mirë me të, e gjeta optimist se do ta kapërcejë këtë situatë. Uroj që të dalë sa më shpejt dhe shërim të shpejtë nga situata për të cilën erdhi në spital Madhëria e Tij. Mjekët po bëjnë gjithçka”, tha Berisha. Kreu i vendit, Bamir Topi, vizitoi në mesditë Leka Zogun, ndërsa për mediat u shpreh se gjendja e pacientit ishte më e mirë dhe se gjatë komunikimit e kishte uruar për shërim të shpejtë. “Sapo vizitova Madhërinë e Tij, Leka Zogun I. Natyrisht, i preokupuar për shëndetin e tij, arrita që të komunikoj lirshëm me të. Gjithsesi, komunikimi me të ishte i ngrohtë dhe do të thosha atë që është shumë e rëndësishme në të tilla situata: shumë i kthjellët”, tha Topi.

© Panorama.al

Te lidhura