Leka dhe Blloshmi, disidenca e pushkatuar

Jan 29, 2012 | 10:28

LUÇIANO BOÇI

Natën e 19 gushtit të vitit të largët 1936, në një pyll të Viznarit të Spanjës fashiste, një togë pushkatimi e falagistëve frankistë kalonte në plumb një nga talentet letrare më të fuqishme të kohës, Federiko Garcia Lorkën. Jo rastësisht pranë tij, krahas dy të tjerëve, ndodhej dhe një mësues.  Motivi ishte tronditës dhe në dukje banal: vepra e tij letrare kishte ngacmuar relaksin kanibalesk të elitës ushtarake të kohës, ndërkohë që miku i tij më i ngushtë, piktori i famshëm Salvator Dali, shprehej se ai ishte njeriu më apolitik i globit. Dhe ta mendosh që poeti ishte vetëm 38-vjeçar.
Dyzet e një vjet më vonë, në Shqipërinë e mijëra çudirave, në verën e viti 1977, më 17 korrik, përsëritet pak a shumë i njëjti skenar makabër, madje kësaj here më i sofistikuar, më i studiuar, më i regjizuar sipas një rituali që shoqëroi përgjatë gati 50 viteve ekzistencën e një prej regjimeve komuniste më ankthndjellëse të Europës: pushkatohen në një vend me emër gojëdhënash, në periferi të një qyteti të vogël, pa name të deriatëhershme, Librazhdit, dy të rinj fisnikë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, përkatësisht 29 dhe 36 vjeç, sepse kishin konsumuar krimin e paimagjinueshëm të të qenit poet dhe të qenit njeri. Atë natë dhe vetë Zoti mori plumba. Dhe ta mendosh që ende dhe sot duket sikur hyn te gjërat e pamundura.
Gjakftohtësia dhe egërsia e këtij krimi absurd shtetëror do t’i bënte të skuqeshin pushkatarët e skuadronit të Lorkës, togerit të cilit i ishin premtuar për shpërblim 500 pesetas dhe një gradë më shumë. Mizoria, lukunia, cinizmi, paburrëria, frika  u shpallën kështu, me krenari, të ishin ornamentet që stolisnin shëmtinë e zbukuruar me një varfëri ekstreme idesh dhe pasuri të pafundme diabolizmash të një regjimi, i cili denatyroi, shtrembëroi, ktheu mbrapsht çdo normalitet dhe kërkoi të gjunjëzonte dhe shkatërronte çdo vlerë njerëzore dhe kombëtare.
Heqja e kësaj paraleleje tregon se këtu asgjë nuk është e rastit. Fashizmi dhe komunizmi, si dikotomi  ideologjike, pavarësisht se u lartësuan duke iu kundërvënë njëri-tjetrit dhe lavdinë e kërkuan ta gjejnë te lufta ndaj së kundërtës, u demonstruan si bloza e mendjes njerëzore, krimet monstruoze të të cilëve vazhdojnë të bëjnë garën e diskutimeve të pandërprera.
Baza e ekzistencës së tyre ishte urrejtja, e ndërtuar tek i pari në bazë të racës dhe tek i dyti në bazë të klasës. Brenda kësaj egërsie dhe urrejtjeje, brishtësia pafajtore e poetit është e dukshme dhe poeti i vërtetë, si vlerë e patjetërsuar e shprehjes së intelektit dhe emocionit njerëzor, mbetet gjithmonë oponenti i përhershëm i barbarisë dhe disidenti i pazëvendësueshëm i diktaturave dhe regjimeve.
Poeti, jo se është i pamençur, pasi Ezopi ishte i së njëjtës racë, jo se është i paditur, pasi Homeri, si koleg poet, megjithëse i verbër, i hapi sytë njerëzimit dhe ndriçoi botën me dhuratën e tij poetike, por shpesh muza e tyre poetike, dashnorja e tyre më e thekur, më e dashur dhe më e mirë, i tradhton pa dashje dhe i shpie të dehur në shtigje të pashkelura dhe misione hyjnore, që askush përpos tyre nuk mund t’i përmbushë, sepse shpesh vrapimi i tyre pas sublimes i bën të verbër tek shkelin mbi antivlerat dhe të shëmtuarën.
Pikërisht në këtë rrugë po ecnin poetët tanë kur paranoja e një regjimi, tmerri dhe frika përballë asaj që ishte e thjeshtë, e bukur, e dashuruar, njerëzore, i prangosi pa arsye, për t’i çuar me shpejtësi neurotike drejt marrjes së jetës, por jo drejt marrjes së lavdisë, respektit dhe adhurimit të përjetshëm.
Vilsonin dhe Gencin, pa dyshim që përballë këtij inkuizicioni i çuan shumë faktorë, si: prejardhja fisnike e patriotike, performanca intelektuale, krenaria dhe bukuria shpirtërore, të gjitha këto të papërputhshme me moralin banal të kohës, pa harruar kalorësit e përhershëm të apokalipsit të vetë natyrës njerëzore që komunizmi i stimuloi me kënaqësinë e rritjes së një bishe si zilia, inati, hakmarrja, pabesia, por, mbi të gjitha, sepse u shfaqën në muzgun e historisë si poetë, dhe jo si poetë dosido, por si disidentë natyralë dhe të vërtetë.
Në ato kohëra dhe vetë poezia ishte prangosur. Poetët shqiptarë në tërësi qenë të parët të cilëve iu desh të nënshtroheshin me dashje entuziaste, ose përndryshe me dhunë, një skllavërimi ideologjik ekzemplar. Atyre u ishin vënë dy alternativa: ose të bënin paktin me regjimin, ose të kalbeshin burgjeve dhe të vriteshin. Paktet e bëra dhe të pranuara nga shumë poetë i hapën udhë një konformizmi i cili, me pak devijime, prodhoi më shumë pamflete e trakte politike, sesa poezi artistike, dhe disidenca, qoftë poetike, qoftë politike, ishte një kostum i denjë vetëm për artistë të mëdhenj dhe burra të vërtetë, mosha e të cilëve ishte thjesht dimension virtual.
Të tillë qenë dhe dy poetët tanë dhe krahas kësaj, të natyrshëm si vetë jeta, spontanë si vetë natyra, rebelë si vetë dashuria dhe të urtë si vetë mençuria, por, siç shprehet Vilsoni në letrat që i drejtonte Lumes, ishin të tillë që “fluturonin kundër erës”.
Megjithëse e pakët në volum dhe në fillimet e saj, poezia Vilsonit dhe e Gencit shpreh qartësisht talentin e tyre, mjeshtërinë dhe aftësinë për të prekur dhe transmetuar të bukurën dhe aty ku mendohet se ajo nuk mund të ekzistojë, brenda një vargu të përpunuar simetrikisht, ashtu dhe nga ana tingëllore.
Sinqeriteti poetik, forca artistike, figuracioni dhe konfiguracioni i pasur, thjeshtësia tematike, melodia e brendshme, përsiatjet filozofike që transmetonte dhe struktura mbresëlënëse e kësaj poezie nuk kishte asgjë të përbashkët me poezinë emfatike, shablloniste dhe klisheiste të kohës, me atë çka kërkonte realizmi famëkeq socialist.
Me pafajësinë e tyre të mençur, Genci dhe Vilsoni e zbritën poezinë nga shkallët e Olimpit komunist, për ta sjellë atë brenda individit dhe përjetimeve të tij, për të shprehur ato gjëra jetësore reale dhe copëza të vërteta që së bashku formësonin perceptimin filozofik të jetës e botës. Brenda kësaj poezie së brendshmi disidente vihet re një lloj loje e këndshme figurative në shkallën e një paramjegulle metafizike, pa u sendërtuar tërësisht e tillë, ku gjithçka qarkullon në dyert e perceptimit dhe jep një mozaik të pafund gjendjesh emocionale, ku sundues janë trishtimi dhe dhimbja, pse jo dhe revolta, si refleksion i mbresave dhe situatave nga më të çuditshmet të akumuluara përgjatë përvojës. Rezultat i gjithë kësaj është këputja e çdo hallke të zinxhirit që i lidh krijuesit me ndërgjegjen horizontale apo vertikale të shoqërisë.
Në këtë mënyrë ato arrijnë vetiu të shprehin “veten në vetvete” duke e transfiguruar poezinë në një lloj autobiografie, ose më saktë, në një lloj autopsie të shpirtit, duke e larguar atë përfundimisht nga kontrolli i vetëdijes.
E lidhur ngushtë me këto refleksione, poezia e Genc Lekës dhe e Vilson Blloshmit ruan dhe transmeton një dimension tragjik të shprehur thjeshtësisht dhe dëlirësisht jo vetëm si splin, si brengë, si vetmi, jo vetëm në shqetësimet për veten, kohën e rrjedhur, dashurinë e pajetuar, por dhe si revoltë e parashtruar me shumë butësi si dhe në shqetësimin për vendin, për nënën, për shkollën. Ky dimension më i theksuar është te Vilsoni dhe më i kamufluar te Genci. Sigurisht, një dimension i tillë nuk mund të ishte konform realizmit, i cili në ato vite kishte kaluar në agoni krijuese shterpe.
Dimensioni tragjik duket sikur tërheq me vete brenda poezisë së tyre dhe dimensionin tjetër, atë ironik, si shfaqje në formën e sfidës që jeta i bën vdekjes, që e mira i bën së keqes, që poetët i bëjnë fatit të tyre. Dhe mendojmë që ishte pikërisht ky dimension mbresëlënës poetik, ai që u shërbeu si bazë argumentuese recentëve besnikë të regjimit që të anatemonin e ta shndërronin poezinë e çiltër në pretencë monstruoze.
Të dyja këto dimensione lidhen brenda kësaj poezie ngushtësisht me vdekjen. Poetët në tërësi kanë qenë sfiduesit ironikë më të spikatur të vdekjes. Shpesh ato e kanë tallur, e kanë mundur dhe shpesh e kanë përkëdhelur të brengosur, ose e kanë thirrur për t’i marrë në prehrin e saj, në kulme humbjesh dashurish. Në shumë raste e kanë kapur prej dore që ajo të ishte shoqëruesja e parë e ekzistencës së tyre si artistë. Dhe diku, të ndërgjegjshëm që dikush ia ka sjellë me dhunë afër, kanë ndërtuar një raport njohjeje me të për të mos e pasur frikë kur ajo t’i vinte me pahir.
Ky i fundit është dhe raporti që vendosin dy poetët tanë të talentuar me të. Ata i referohen shpesh asaj, dhe pse zakonisht jo me emër, ose derivateve të saj, si brenda poezive, ashtu dhe te përkthimet.
Deri diku dhe te letrat e Blloshmit. Poetë tanë e dinin se dikush kërkonte t’ia jepte atë në mënyrë të pashmangshme si dhuratë makabre dhe e përgatitën veten për një gjë tillë, prandaj dhe në momentet më të vështira ato zgjodhën më mirë të rrinin përfundimisht me të, si disidentë të pushkatuar, por të nderuar në përjetësi, sesa të zgjidhnin turpin jetësor të bashkëpunimit dhe tradhtisë me të keqen.

© Panorama.al

Te lidhura