Legjitimiteti i qeverisë shqiptare tashmë ka rënë pasi më shumë se gjysma e popullit nuk e do më, edhe pse ajo është e ligjshme.
Sondazhet që dalin aktualisht tregojnë se mazhoranca është në rënie të ndjeshme dhe kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen sa më parë.
Kështu u shpreh mes të tjerash në Neës24 ditën e sotme, aktivisti Florian Xhudi, në një lidhje direkte nga SHBA-të.
Aktivisti i diasporës ka lëshuar akuza të rënda në adresë të kryeministrit dhe kabinetit të tij. Xhudi deklaroi se revolta e përbashkët e qytetarëve dhe emigrantëve është e shënjestruar qartë kundër korrupsionit galopant dhe sistemit të padrejtë që ka ndërtuar kreu i qeverisë në këto vite.
“Legjitimiteti i qeverisë ka rënë, edhe i Ramës, pavarësisht se është e ligjshme. Kemi 36 ditë protestë të pandalur dhe nuk do ndalet, më shumë se gjysma e popullit nuk e do”, tha ai mes të tjerash.
Sipas aktivistëve të diasporës, reagimi agresiv i kryeministrit në ditët e para të tubimeve ka ardhur si pasojë e rënies drastike të mbështetjes popullore, çka ka sjellë edhe humbjen e plotë të legjitimitetit të ekzekutivit.
“Sondazhet e nxjerrin qeverinë aq keq, sa Rama në ditët e para të protestës nxori anën e tij shumë të keqe dhe tejkaloi limitet e njerëzores. Ka përdorur fjalor të rëndë, nuk kemi të bëjmë më me legjitimitet të qeverisë,” u shpreh Xhudi.
Një tjetër pikë e fortë e denoncimit të aktivistit nga SHBA ishte edhe lëvizja më e fundit në sferat e larta të politikës amerikane, ku dyshimet për lidhjet e zyrtarëve shqiptarë me krimin e organizuar kanë mbërritur në Kongres.
“Para dy ditësh doli një lajm se një kongresmen amerikan i ka kërkuar Kongresit të ngrejë një grup investigimi për hetimin e lidhjeve të qeverisë shqiptare me narkotrafikun. Sido që të shkojë ngritja e këtij grupi, lajmi është që Kongresi Amerikan, kongresmenë të caktuar, dyshojnë se qeveria shqiptare është e përfshirë dhe bashkëpunon me trafikantët e drogës! Çështja është që ka dyshime dhe informacione se qeveria shqiptare është në raporte bashkëpunimi me trafikantët e drogës”, deklaroi Xhudi.
© Panorama.al












