Një prej aktivistëve të diasporës në Britaninë e Madhe, Bledar Meti, tregoi për News24 ditën e sotme se si u organizuan emigrantët vetë duke u solidarizuar me protestën e Tiranës që vijon prej 35 ditësh pa ndërprerje.
Sipas tij, pjesëmarrja ka qenë masive dhe një organizim i mirë jo vetëm nga Anglia, por e gjithë shqiptaria. Meti nënvizoi se Zvërneci ishte pika që derdhi gotën, por shkaqet kryesore janë keqqeverisja dhe problematikat që has Shqipëria në 36 vite nga estabilishmenti.
“Pothuajse çdo ditë kemi protestuar në Londër, që nga dita e dytë, kanë qen ata që kanë kërkuar të organizohemi si diasporë dhe kemi vazhduar. I jam bashkuar kërkesës së tyre për diasporën në Shqipëri, bëmë të parën më datë 20 dhe tani organizimin e dytë dhe siç e pamë diaspora iu përgjigjur kërkesës, nuk është vetëm ajo e Britanisë, por kemi krijuar një rrjet, edhe në SHBA dhe vende të tjera”, shpjegoi ai organizimin.
Meti tha se e kishte përqafuar kërkesën e tyre duke organizuar dy prej pjesëmarrjeve më masive në Tiranë, më 20 qershor dhe 4 korrik.
“E ka përqafuar kërkesën e tyre, kam nis kushtrimin dhe organizimin për të ardhur herën e parë dhe më pas lancuar rikthimin e dytë dhe siç e pamë diaspora mbushi sheshin dhe nuk është vetëm ajo e Anglisë. Kemi punuar dhe kemi thënë hajt të shkojmë dhe për herë të dytë dhe të angazhohemi”, tha ai.
Në fund Meti shpjegoi se nuk ishte vetëm problematika e Zvërnecit, shqiptarët sipas tij janë të pakënaqur me keqqeverisjen dhe problematikat e krijuara nga politika e vjetër.
“Zvërneci ishte pika që derdhi gotën, por ajo grumbullon të gjitha problemet e 36 viteve, që kanë mbajtur peng zhvillimin kombëtar, dhe nuk ka pasur llogaridhënie dhe qëllimi është largimi i këtij estabilishmenti”, u shpreh ai.
Ai konfirmoi se reagimi i emigrantëve ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i koordinuar mirë përtej kufijve.
Meti shpjegoi se tubimi i së shtunës shënoi një kulm të ri për lëvizjen qytetare pikërisht për shkak të vendosmërisë së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Sipas tij, suksesi erdhi si rezultat i një pune intensive përmes një rrjeti të gjerë kontaktesh të ngritur në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai shtoi se ky rrjet u vu në lëvizje me synimin e vetëm për t’u kthyer fizikisht në Shqipëri dhe për t’i dhënë një mbështetje maksimale e të pakursyer revoltës popullore në shesh.
© Panorama.al












