TIRANE- Janë 43 kërkesa të pronarëve që janë prekur nga ndërtimet informale që kanë shkuar për rishqyrtim në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të cilat është miratuar dhënia e këstit të radhës.
Nga ana e AKKP-së bëhet me dije se në datën 18 nëntor është marrë edhe vendimi përkatës lidhur me shumën që do t’i shpërndahet rreth 100 pronarëve dhe bashkëpronarëve që përfitojnë nga ligjet, aktet nënligjore dhe vendimet e nxjerra nga Këshilli i Ministrave. Qytetarët do të mund të marrin paratë në llogaritë e tyre bankare në javën në vijim në masën që është caktuar me vendim, duke përmbushur kështu detyrimin e kompensimit për ata që janë prekur nga ndërtimet informale. Kështu, për 43 kërkesat e miratuara së fundmi është caktuar që të përfitohet kësti i shpërblimit apo kompensimit në masën 36.94% të shumës së përgjithshme në të holla, sipas vendimeve të qeverisë. “Nga ky proces rezulton se përfitojnë një numër prej 100 pronarësh apo bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej 117.8 milionë lekësh. Të dhëna në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfitues jepen në listën e publikuar”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Lista emërore
© Panorama.al












