Laprakë, autobusi i Pukë-Tiranë “hyn” në lokal

Jan 6, 2012 | 12:41
Autobusi në momentin e “hyrjes” në lokal

TIRANE – Një autobus me rreth 30 pasagjerë doli nga rruga mëngjesin e djeshëm në afërsi të Laprakës në Tiranë. Mjeti që kryen transportin e udhëtarëve nga Puka në Tiranë humbi drejtimin duke u përplasur me një automjet e më pas shembi murin anësor të një lokali. Nga aksidenti nuk është plagosur asnjëri prej pasagjereve që udhëtonin me autobusin e linjës Tiranë-Pukë, megjithatë ngjarja shkaktoi vetëm dëme materiale. Burime nga Policia thanë se ngjarja ka ndodhur për shkak të një kthimi të menjëhershëm të timonit në krahun e djathtë, që drejtuesi i autobusit të Pukës ka kryer për të shmangur përplasjen me një makinë që është futur në parakalim. Për këtë arsye, autobusi me pasagjerë ka dalë nga rruga duke u përplasur me një makinë tjetër. Më pas mjeti i transportit të udhëtarëve ka ndalur pas përplasjes me murin e një lokali në anë të rrugës, që ndodhet mes Zogut të Zi dhe Laprakës. Sipas Policisë, nga përplasja e fortë ka pasur vetëm dëme materiale dhe asnjë nga pasagjerët e autobusit nuk ka pasur dëme serioze. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forca të shumta policie, të cilat nisën hetimin për shkaqet e aksidentit.

© Panorama.al

Te lidhura