SPAK merr të pandehur kryetaren e bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi

Nov 14, 2025 | 17:52

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka marrë të pandehur kryetaren e bashkisë Roskovec, Majlinda Bufin.

majlinda bufi

Mësohet se Bufi është marrë e pandehur për veprën penale të “Përdorimit të Funksionit Publik për Veprimtari Politike”.

Hetimi i nisur pas një kallëzimi penal ndaj saj është përfunduar nga SPAK dhe dosja është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të shqyrtohet.

Kujtojmë se Bufi është kallëzuar më herët nga opozita për disa vepra penale, si: “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Sipas kallëzimit, kryebashkiakia ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale shkelje të rënda kundër punonjësve të administratës publike, për t’i penguar ata të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe.

Po ashtu PD Roskovec, ka depozituar për të edhe një kallëzim penal në SPAK, duke e akuzuar për abuzim me tenderat.

Denoncime publike janë bërë edhe nga deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili i ka bërë disa herë thirrje SPAK për hetime ndaj Bufit lidhur me një tender për karikimin e makinave elektrike me vlerë miliona euro si edhe për ndërtimin e një termocentarali në zonë bujqësore.

LEXO EDHE: “Belinda Balluku dhe Majlinda Bufi shkelin ligjin për interesa personale”- Bardhi i kallëzon në SPAK: Lejuan ndërtimin e TEC-it në tokë bujqësore

Bardhi deklaroi asokohe se do të depozitonte në SPAK kallëzim për rastin, teksa shprehej se “çdo ditë dalin prova sesi Majlinda Bufi dhe Belinda Balluku nuk kanë prioritet interesin e qytetarëve, por kanë prioritet vetëm interesin e tyre personal”.

Po ashtu, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme më 11 maj, Gazmend Bardhi ka akuzuar Belinda Ballukun dhe Majlinda Bufin se shpërndanin leje legalizimi dhe certifikata pronësie në këmbim të votave.

LEXO EDHE: “Po shpërndahen leje legalizimi dhe certifikata pronësie në këmbim të votave” – Gazment Bardhi: Banda elektorale e Belinda Ballukut po shkel ligjin! Do kallëzojmë në SPAK Majlinda Bufin

© Panorama.al

Te lidhura