Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është shkarkuar nga detyra kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, Insidor Rexhepi.
Mësohet se në vend të Rexhepit, i cili ishte vendosur në krye të Drejtorisë së Antikorrupsionit që prej nëntorit të vitit 2024 është emëruar Skerdi Tushi.
DPAK ka për mision të sigurojë parandalimin e goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore/entet publike/shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.
V E N D I M PËR LIRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ANTIKORRUPSIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të kreut III, të vendimit nr.436, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Insidor Rexhepi, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, lirohet nga kjo detyrë.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ANTIKORRUPSIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të kreut III, të vendimit nr.436, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Skerdi Tushi emërohet drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Ky ndryshim që u miratua këtë të premte, vjen menjëherë pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar, ku u emëruan disa ministra të rinj dhe zv.kryeministrja.
Ndryshimet në qeveri
Zv.kryeministre, Albana Koçiu– shkarkohet Belinda Balluku
Ministër i Brendshëm, Besfort Lamallari– zëvendëson Albana Koçiun
Ministër Drejtësie, Toni Gogu– zëvendëson Besfort Lamallarin
Ministër Energjitke, Enea Karakaçi– shkarkohet Belinda Balluku
Ministër i Mbrojtjes, Ermal Nufi– shkarkohet Pirro Vengu
Ministër për Marrëdhënien me Parlamentin, Erjona Ismaili– zëvendëson Toni Gogun
Ministër i Jashtëm, Ferit Hoxha – Shkarkohet Elisa Spiropali
© Panorama.al












