Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se vendimi u mor pas dështimit të deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri.
“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës. Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, deklaroi Vjosa Osmani.
Osmani e ka quajtur papërgjegjësi që Kuvendi nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri, derisa ka thënë se situatën e sollën njerëz “me qëllime të rrezikshme”.
“Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, u shpreh Osmani.
Duke folur për dështimin e përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit mbrëmjen e 5 marsit, Osmani tha se kjo nuk ka qenë një situatë e rastësishme, por sipas saj një kalkulim i menduar politik.
“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, ka theksuar Osmani.
Më tej Vjosa Osmani deklaroi se “Procedura për zgjedhjen e presidentit edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”.
Ajo deklaroi se nëse nuk do të dekretonte shpërndarjen e Parlamentit do ta vendoset atë në shkelje të Kushtetutës, duke theksuar “se këtë nuk kam ndërmend ta bëj”.
Osmani tha se do të nisë konsultimet me partitë politike, për të përcaktuar më pas datën e zgjedhjeve të parakohshme.
© Panorama.al











