Është arrestuar pas disa orësh në arrati Mikel Ndoji, 56-vjeçari i cili ditën e sotme, 26 janar, plagosi me thikë vajzën e tij, Xhensila Ndoji, 24-vjeç.
Sipas gazetares Klodiana Haxhiaj, prindërit e vajzës së plagosur ishin të divorcuar prej vitesh, ndërsa babai jetonte në Itali dhe së fundmi kishte tentuar të ribashkohej me familjen.
Dyshohet se vajza, Xhensila Ndoji nuk ka pranuar të bashkohej me të atin dhe as ta lejonte atë të hynte në banesë.
Burime bëjnë me dije se konflikti mes palëve ka ndodhur në rrugë, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e dhunës, duke përfunduar me plagosjen e vajzës.
Kujtojmë se përveç vajzës së tij, babai i të resë ka goditur edhe një person tjetër, kolegun e saj me iniciale O. M., i cili raportohet se ndërhyri për të shuar konfliktin, por fatkeqësisht mbeti i plagosur.
Njoftimi i policisë
Plagosi me thikë vajzën e tij, për motive të dobëta, kapet dhe vihet në pranga 56-vjeçari.
Si rezultat i kontrolleve intensive të kryera nga specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, të DVP Durrës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:
-M. N., 56 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas dyshohet se sot, rreth orës 10:00, në lagjen nr. 12, Durrës, në rrugë, ka plagosur me thikë vajzën e tij 24 vjeçe, për motive të dobëta. Gjithashtu, 56-vjeçari ka goditur me thikë shtetasin O. M., i cili ka ndërhyrë për ta ndaluar atë, në momentin e plagosjes së vajzës.
2 shtetasit e plagosur po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
© Panorama.al












