Një pikë e këmbimit valutor në një qendër tregtare në zonën e 5 Majit në Tiranë është grabitur këtë të enjte.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se një person ka hyrë brenda pikës dhe nën kërcënimin e armës ka marrë një shumë parash dhe është larguar.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, ndërsa akoma nuk dihet shuma që ka marrë. Grabitësi pasi ka marrë paratë është larguar me vrap.
Ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga policia.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 09:10, në rrugën “5 Maji”, një shtetas ende i paidentifikuar, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri (pistoletë), ka vjedhur një shumë parash në një pikë këmbimi valutor brenda një qendre tregtare dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth.
Shërbimet e Policisë po krehin zonën dhe po vijojnë kontrollet me qëllim kapjen e autorit. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
© Panorama.al











