Lagarde kryeson si pasardhëse e Strauss-Kahn

May 23, 2011 | 12:56

Në kërkimin për një pasardhës të shefit të dorëhequr të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, ministrja franceze e Financave, Christine Lagarde, gjithnjë e më tepër po gjen mbështetje nga Europa, si favorite për këtë post. Homologu i saj britanik, George Osborne, deklaroi se Lagarde është një kandidate e shquar për t’u vendosur në krye të FMN-së. Sipas “Deutsche Welle”, më parë në Gjermani kancelarja Angela Merkel dhe ministri i Financave Wolfgang Schäuble, kishin dhënë preferencën e tyre për Lagarde-n si shefe e re e FMN-së. Qeveria austriake po ashtu e ka vlerësuar kandidaturën e ministres franceze. Për kreun e ardhshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar pretendojnë edhe vendet në ekspansion, si Kina dhe India. SHBA-ja, si aksioneri më i madh i FMN-së, është shprehur deri tani asnjanëse në diskutimin rreth pasardhësit.

© Panorama.al

Te lidhura