“Ky nuk është opozitarizëm”- Ministrja Koçiu reagon për protestën: Sabotim kombëtar nga ata që Shqipërinë e duan vetëm si pronë private! Duan ta shohin në flakë

Feb 20, 2026 | 21:24

Ministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me zhvillimet gjatë protestës së opozitës në Tiranë.

Momentet e tensionit molotov dhe zjarr (8)

Në reagimin e saj, Koçiu e cilëson protestën si një “shfaqje të shëmtuar” dhe akuzon organizatorët për nxitje dhune, duke përmendur përdorimin e molotovëve dhe maskave. Sipas saj, një kauzë e drejtë nuk ka nevojë për dhunë dhe as për fshehje identiteti.

Ministrja Koçiu, reagim përmes rrjeteve sociale:

Po e shohim përsëri. E njëjta shfaqje e shëmtuar, e njëjta skenografi e vjetër me tym e me flakë, që vjen nga bodrumet e një politike në agoni. Një tjetër “revolucion” me pagesë, ku molotovi zëvendëson fjalën dhe maska fsheh turpin.

Le ta themi troç, pa asnjë dorashkë: Një kauzë e drejtë nuk ka nevojë për maska dhe as për molotovë.
Kush ka të drejtë, ka mbështetjen e popullit, jo bandën e huliganëve me pagesë. Kush ka ide, ka votën. Por kur kutia e votës të është kthyer në në makthin tënd më të madh që prej dy dekadash, atëherë e vetmja rrugë është dhuna si streha e fundit e paaftësisë.

Të thërrasësh shqiptarët të bëhen mish për top për marrëzinë tënde personale, ndërkohë që ata ta kanë dhënë përgjigjen me votë rresht për 20 vite, është kulmi i pafytyrësisë politike.

Ata thonë se kjo është një protestë qytetare? Cili qytetar i këtij vendi do të shihte qytetin e tij të digjej? Të djegësh institucionet nuk është politikë, është vandalizëm. Të godasësh Policinë e Shtetit nuk është trimëri, është krim.

Kjo nuk është një protestë kundër qeverisë. Kjo është një protestë kundër Shqipërisë që punon, kundër stabilitetit, kundër sigurisë së çdo familjeje dhe kundër imazhit të një vendi që sot respektohet në çdo tryezë ndërkombëtare.

Ky nuk është opozitarizëm, ky është sabotim kombëtar nga ata që Shqipërinë e duan vetëm nëse mund ta kenë si pronë private, përndryshe duan ta shohin në flakë.

Dhe nesër, kur të dilni për të përgënjeshtruar turpin tuaj të sotëm e për t’ua shitur shqiptarëve dhunën si “ndjenjë lirie”, mendohuni mirë. Mendohuni dy herë, sepse Shqipëria nuk është më as ajo e 97-ës dhe as ajo e rrëmujës suaj mendore.

© Panorama.al

Te lidhura