
Josip Kuzhe e ka pranuar dje hapur se nëse një rezultat tjetër, veç fitores, në ndeshjen e sotme ndaj Luksemburgut do të ishte një dështim për Kombëtaren shqiptare. Trajneri i Shqipërisë është shprehur i bindur për forcën që ka grupi i tij, edhe pse me mungesa të rëndësishme, por ka konfirmuar faktin se katër lojtarët më të vjetër të skuadrës (Lala, Skela, Duro dhe Bogdani) nuk do të jenë pjesë e edicionit të ardhshëm.
Mister, si ju duket gjendja e skuadrës?
Përgjithësisht e mirë. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm, por njëkohësisht edhe luftarakë për ta fituar ndeshjen.
Cili do të jetë formacioni?
Pas stërvitjes së sotme (dje), kam vendosur që nesër të luajmë me një skemë sulmuese në pamje të parë. Në portë Ujkani, në mbrojtje Vangjeli, Teli, Veliu dhe Agolli, në mesfushë Skela, Lala, Duro, ndërsa në sulm, Salihi, Bogdani, Kapllani.
Po luajmë me një mesfushë me tre lojtarë dhe me tre sulmues, ndërkohë që mbrojtjen e kemi tërësisht të improvizuar. Nuk ju duket se po rrezikoni shumë?
Po, mbase, por ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Luksemburgu luan mirë dhe luan shumë shpejt me topin, por nëse ne u bëjmë presion, ata do të thyhen, sepse nuk kanë cilësitë tona. Për këtë arsye kam vendosur që të lë pas tre sulmuesve tre mesfushorë, që luajnë mirë me topin dhe kanë eksperiencën e duhur edhe për të mbrojtur. Dua që sulmuesit e mi të jenë sa më pranë zonës dhe jo të tërhiqen, me qëllim që të mbajmë nën presion kundërshtarët që në fillim. Kjo është një ndeshje paksa ndryshe nga të tjerat, por, sigurisht, që është ndeshja të cilën Shqipëria duhet ta fitojë.
A do të ishte dështim nëse nuk e fitoni këtë ndeshje?
Do të ishte një gjë shumë negative. Luksemburgu nuk është një skuadër për t’u nënvlerësuar dhe, aq më pak, në situatën në të cilën jemi, por, gjithsesi, ne duhet patjetër që ta fitojmë këtë ndeshje. Kemi potencialin dhe mundësitë që ta fitojmë këtë ndeshje. Na duhen këto tri pikë dhe mendoj se mund të quhet edhe dështim nëse nuk ia dalim mbanë në këtë sfidë.
Çfarë ju shqetëson nga Luksemburgu?
Asgjë. Unë kam besim te skuadra ime dhe jam i bindur se mund t’ia dalim. Është e kotë që të mendojmë për kundërshtarin. Unë llogaritë, në rastin konkret, i bëj vetëm për skuadrën time dhe gjykoj se me lojtarët që kam në dispozicion, siç e thashë edhe më lart, mund ta fitojmë këtë takim. Uroj që nesër (sonte) nga fusha të dalim me tri pikë më shumë në renditjen tonë në grup.
Luksemburg-Shqipëri
Sonte, ora 20:15
Arbitër: Peter Karin (FIN)
Shqipëria (4-3-3): Ujkani; Vangjeli, Veliu, Teli, Agolli; Duro, Lala, Skela; Kapllani, Salihi, Bogdani.
Trajner: Josip Kuzhe
Luksemburgu (4-1-3-2): Joubert; Bukviç, Bleiz, Hofman, Shnel; Mutsh; Pajal, Laterza, Gerson; Pedro, Kitenge. Trajner: Luk Holtz
Ja kush ikën nga Kombëtarja
Altin Lala, Ervin Skela, Klodian Duro, por edhe Erjon Bogdani luajnë ndeshjet e fundit me ekipin përfaqësues. Nga sa ka lënë të kuptohet dje trajneri kuqezi, këta katër lojtarë, edhe për shkak të moshës, nuk do të jenë më pjesë e skuadrës për edicionin e ardhshëm të kualifikime. Por, nëse për tre të parët (Lala, Skela e Duro) kjo gjë është tejet e kuptueshme, çudi vjen me shartimin e Bogdanin, një lojtar që luan në Serinë A.
Ndeshjet/ Sot
Grupi A
Azerbajxhan-Kazakistan
Austri-Turqi
Grupi B
Rusi-Irlandë
Maqedoni-Andora
Sllovaki-Armeni
Grupi C
Estoni-Ir.Veriut
Serbi-Ish.Faroe
Itali-Slloveni
Grupi D
Bosnjë-Bjellorusi
Luksemburg-Shqipëri
Rumani-Francë
Grupi E
Finlandë-Holandë
Moldavi-Hungari
San Marino-Suedi
Grupi F
Kroaci-Izrael
Letoni-Greqi
Maltë-Gjeorgji
Grupi G
Zvicër-Bullgari
Angli-Uells
Grupi H
Danimarkë-Norvegji
Islandë-Qipro
Grupi I
Skoci-Lituani
Spanjë-Litenshtejn
Nga Luksemburgu
Fation Shehu











