Kuvendi i ri, Bashkia nuk merr as taksën e lejes

Jul 13, 2011 | 11:23

Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar ku ndodhet sot Piramida, duke e bërë fakt të kryer shembjen e saj.Pa pjesëmarrjen e opozitës dhe 9 nenet e projektligjit, maxhoranca ka vendosur që për ndërtimin e Kuvendit të ri do të merret vetëm Parlamenti dhe qeveria, askush tjetër. Leja e ndërtimi do të jepet nga KRRTRSH-ja, dhe jo nga organet e Bashkisë dhe për më tepër kjo e fundit nuk do të marrë as taksën e ndikimit në infrastrukturë apo taksën për lejen e ndërtimit. Vlera e kësaj takse është 1.5 për qind e vlerës së ndërtimit dhe kur parashikohet që Kuvendi i ri të kushtojë të paktën 100 milionë euro, atëherë Bashkia nuk do të mund të marrë 1.5 milionë euro për buxhetin e saj. Por, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, relator i projektligjit të propozuar nga 38 deputetë të PD-së, shpjegoi se leja mund të jepet nga KRRTRSH-ja duke u bazuar në një vendim të Gjykatës Kushtetuese si dhe në bazë të ligjit të ri për urbanistikën që hyn në fuqi në muajin shtator. “Për shkak edhe të një lloj deviacioni që Kuvendi mund t’ia toleroje vetes, nuk do të paguajë asnjë taksë përkatëse, ndërsa ajo çfarë unë mund t’ju them në emër personal, se nuk ka çmim që duhet të na bëhet pengesë për ndërtimin e kompleksit parlamentar. Janë përcaktuar të depozitohen në KRRTRSH, bazuar dhe në harmoni dhe respekt të plotë të vendimit numër 29 të vitit 2006 të Gjykatës Kushtetuese. KRRTRSH -ja jo vetëm miraton studime urbanistike rajonale, por ka të drejtë të përcaktojë edhe lejen e sheshit të ndërtimit apo lejen e ndërtimit për objekte me rëndësi të veçantë, saktësisht dhe individualisht të përcaktuara”, tha Alibeaj. Inspektorati Ndërtimor Kombëtar Urbanistik do të shembë Piramidën, por në ligj nuk përcaktohet një kohë kur do ta bëjë këtë. Firmat që do të kryejnë punimet do të zgjidhen me tender elektronik. Tenderi do të zhvillohet nga Kuvendi dhe procedurat e tij do të bazohet në ligjin për prokurimin publik. “Referenca është në ligjin e ‘Prokurimit publik’ dhe natyrisht ky kompleks do të ndërtohet në bazë të procedurave të këtij ligji. Projektligji ndjek parimin e delegimit të akteve nënligjore”, u shpreh deputeti Viktor Gumi, i PD.
Por, dy deputetë të PD-së ngritën shqetësime në lidhje me këtë projekt. Së pari, deputeti Dashnor Sula kërkoi nëse ka një kosto dhe nëse do të ndërtohet me kredi dhe së dyti kërkoi shpjegim në lidhje me shmangien e strukturave lokale nga dhënia e lejes së ndërtimit. Por si kryetari i komisionit, Ilir Rusmali dhe deputeti Alibeaj sqaruan se kostoja nuk është objekt i projektligjit, por i përket fazës së tretë të zbatimit të projektit. “Nisur edhe nga nevoja që do të duhet së bashku me ndërtimin e kompleksit, por edhe të eliminojmë një lloj legjende urbane, një lloj psikoze që pozita gjeografike, aty ku do të ndërtohet kompleksi, mbart me vete e unë besoj se nuk ka çmim i cili do të na duhet të bëhet pengesë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Çmimi do të kalojë nëpërmjet filtrit të ligjit për ‘Prokurimit publik’ nëpërmjet tenderit elektronik, ku do të ftohen të gjithë të marrin pjesë”, u përgjigj Alibeaj. Projektligji do të kalojë ditën e enjte për miratim final në Kuvend.

Afatet

Deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, kërkoi të dijë nëse do të mund të ndërtohet kompleksi i ri parlamentar brenda 1 viti dhe të jetë gati për 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit, ashtu siç është prioritetit edhe synimi i qeverisë. Nga ana e tij, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se kjo është çështje vullneti. Sipas tij, projekti fitues lejon mundësinë teknike që të realizohet sa më shpejt ndërtimi dhe mbetet vetëm çështje vullneti nëse do të mund të përfundojë ndërtimi brenda afatit për festimet e Pavarësisë. “Faza e tretë do të jetë faza ku do të paraqitet kërkesa për leje të ndërtimit. Ju garantoj juve dhe këdo se vullneti i Parlamentit për të ndërtuar kompleksin e ri parlamentar, do të jetë më se i arritshëm”, tha Alibeaj.

Kostoja

Deputetët u interesuan për kostot e këtij ndërtimi, në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, nëse do të jetë me financim të buxhetit të shtetit apo me kredi. Interesimi erdhi nga deputeti i PD-së, Dashnor Sula, i cili kërkoi që krahas kostos, të dijë edhe arsyen që pse nuk marrin pjesë autoritete lokale në dhënien e lejes së ndërtimit. “Unë besoj se nuk ka çmim i cili do të na duhet të bëhet pengesë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Vendimi numër 29, i vitit 2006 të Gjykatës Kushtetuese, ka përcaktuar që KRRTRSH-ja ka të drejtë të japë edhe lejen e sheshit të ndërtimit apo lejen e ndërtimit, për objekte me rëndësi të veçantë, saktësisht dhe individualisht të përcaktuar”, tha Alibeaj.

Negociatat

Qeveria shqiptare po negocion me Arabinë Saudite për të siguruar grantin prej 100 milionë eurosh, por që ende nuk ka një kosto përfundimtare në lidhje me këtë projekt. Kostoja e tij do të vendoset nga tenderi i hapur ku kompania që do të ofrojë më pak për ta ndërtuar, do të fitojë të drejtën e ndërtimit. Gjithsesi, ende nuk ka një përgjigje nga Arabia Saudite në lidhje me këtë fond. Godina e re do të ndërtohet mbi Piramidën dhe do të jetë gati në 28 nëntor 2012.

Kundërshtitë

Rrëzimi i Piramidës për t’i lënë vend një Parlamenti të ri është kundërshtuar nga shumë arkitekte. “Është një projektligj që kërkon në thelb prishjen e Piramidës. Pastaj janë procedura që anashkalojnë pushtetin vendor, që anashkalojnë ligjin e ‘Urbanistikës’. Pra janë të gjitha procedura ekstra. Në thelb shkel legjislacionin aktual, shkel ligjin e ‘Urbanistikës’, shkel parimet e pavarësisë së qeverisjes vendore, shkel mënyrën e trajtimit të të gjithë legjislacionit, çështjes së tenderave ankandeve publike, çdo gjë dhe krijon procedura ekstra vetëm për këtë rast”, tha Artan Lame, kryetar i shoqatës
për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura