Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën e Partisë së Pensionistëve për pezullim të shpalljes së rezultatit të Tiranës.Përfaqësuesi i kësaj partie, Selami Jenishehri, i kërkoi gjykatës që të pezullonte shpalljen e rezultatit të Tiranës deri në dhënien e vendimit nga kjo gjykatë për tre nenet e Kodit Zgjedhor, që sipas tij janë antikushtetuese dhe kanë sjellë diskriminim të partive të vogla në zgjedhjet e 8 majit. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, që në nisje të seancës së djeshme, gjykata u tërhoq për të marrë vendim, i cili ishte rrëzim i kërkesës së Partisë së Pensionistëve për të pezulluar rezultatin e 8 majit për Tiranën. “Kemi të bëjmë me një proces gjyqësor antikushtetues, ndaj të gjitha ankimimeve që kemi paraqitur në KQZ dhe në Kolegj për zgjedhjet e 8 majit. Gjithashtu, këto zgjedhje zhvillohen në kundërshtim me Kushtetutën, pasi nenet 69, 70 dhe 87 diskriminojnë partitë e vogla dhe kërkojmë që këto nene të rrëzohen. Ne kërkojmë që gjykata të pezullojë shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve të Tiranës deri në nxjerrjen e rezultatit nga kjo gjykatë të kësaj çështjeje”, u shpreh kryetari i kësaj partie, Selami Jenishehri. Ndërsa përfaqësuesit e Kuvendit dhe të qeverisë kërkuan rrëzimin e kërkesës së pensionistëve. “Ne kërkojmë rrëzimin e kërkesës, pasi kërkuesi nuk legjitimohet. Në bazë të nenit 45 të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet që zbatimi i aktit ligjor që ankimohet, të sjellë një dëm të pariparueshëm për kërkuesin. Në rastin konkret, ligji është zbatuar, ankimohet pas zgjedhjeve. Zgjedhjet e radhës janë në 2013, çka do të thotë se nuk kemi një dëm të menjëhershëm për kërkuesin. Argumenti i tretë është fakti që të mos merren parasysh citimet apo referimet e KQZ apo Kolegjit Zgjedhor, pasi nuk është objekt i shqyrtimit të kësaj gjykate në këtë moment. Kërkesa e bërë është e pabazuar në ligj dhe në Kushtetutë e duhet të rrëzohet”, u shpreh Marsida Xhaferrllari, drejtore e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Gjykimi
Partia e Pensionistëve të Shqipërisë përfaqësohej nga kryetari i saj, Selami Jenishehri, dhe nuk kishte një avokat mbrojtës, një nga rastet e rralla në çështjet që shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese. Tre nenet që kjo parti kishte ankimuar në këtë gjykatë, neni 69 dhe 70 i Kodit Zgjedhor i referohet rasteve kur në zgjedhje kandidon një kandidat i pavarur, ndërsa dhe 87 i po këtij Kodi përcakton mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike partive politike në zgjedhje. Kreu i Partisë së Pensionistëve, Jenishehri, i cilësoi në kërkesën e tij këto nene diskriminuese për partitë e vogla, pasi hyrja në garë e vetme, kërkon një faturë të lartë financiare. Sipas tij, Kodi i kërkon partive jashtë parlamentare të depozitojnë në KQZ 1% të firmave të noterizuara të mbështetësve të tyre në një zonë zgjedhore. Gjithashtu, ai e cilësoi diskriminuese dhe mënyrën se si shpërndahen fondet, duke kërkuar që partitë parlamentare të mos jenë më të favorizuara në këtë aspekt se partitë që hyjnë për herë të parë në zgjedhje. Përfaqësuesit e Kuvendit dhe qeverisë i kanë cilësuara të pabazuara këto kërkesa, ndërsa u shprehën se kontributi financiar i partive përcaktohet nga mbështetja popullore që partitë marrin në zgjedhje. Pretendimet e kërkuesit, tha përfaqësuesi i Kuvendit, nuk qëndrojnë, janë perceptime të tyre, ndërsa nenet 69 dhe 70 bëjnë fjalë për kandidatët e pavarur. Kodi Zgjedhor, sipas tij, i vendos partitë politike të barabarta përpara ligjit.
Debati në seancën e djeshme
Altina Xhoxhaj: Ku ju dëmtojnë juve si parti nenet 69, 70 dhe 87?
Jenishehri: Partia jonë nuk ka marrë pjesë në zgjedhje. Këto nene na humbin pavarësinë dhe detyrohemi të futemi në koalicion me një parti të madhe, programet e të cilave mund të ndryshojnë nga njëra-tjetra.
Vladimir Kristo: Nenet 69, 70 dhe 87 flasin për kandidatët e pavarur, dhe jo për partitë. Ku cenohet partia juaj?
Jenishehri: Ne na kërkohet të depozitojmë firma të noterizuara, 1% të zgjedhësve të zonës, ndërkohë që partive parlamentare nuk ua kërkojnë.
Admir Thanza: Çfarë pengese keni pasur për të kandiduar në zgjedhjet lokale?
Jenishehri: Nëse ne do të kandidojmë me kandidatët tanë në zona të ndryshme, ne duhet të paguajmë shuma të mëdha për të depozituar pranë KZAZ-ve deklaratat e noterizuara të mbështetësve. Këto janë kosto të papërballueshme financiare, ndërsa ne pensionistët jemi shtresa më e persekutuar financiarisht.
Vitore Tusha: Mendoni se ligji duhet të përcaktojë kushte dhe kritere të barabarta si për partitë që hyjnë për herë të parë në zgjedhje dhe ato që janë votuar më parë?
Jenishehri: Ky Kod me këto nene është diskriminues për partitë që janë jashtë Parlamentit dhe nuk më lejon mua si parti e re të prezantoj dhe të konkurroj me programin tim para zgjedhësve.
Lulzim Lelccaj: Ju nuk prekni ato pika të nenit 87 të Kodit Zgjedhor ku thuhet se partitë që janë financuar nga buxheti i shtetit dhe nuk kanë marrë rezultatin e pritur, duhet t’i kthejnë këto para. Ju mendoni se paratë nuk duhen kthyer, prandaj nuk e trajtoni fare këtë pikë?
Jenishehri: Ti po më thua je 1.70 metra dhe çfarë do të bëje po të ishe 1.90 metra. Unë si parti jam regjistruar në gjykatë, ndërsa në zgjedhje hyj që të provoj programin tim. Nëse nuk arrij rezultatin që shprehet te Kodi, kjo nuk varet vetëm nga unë apo nga programi im. Nëse partitë e vogla do të diskriminohen dhe nga ana financiare përmes këtyre klauzolave, atëherë asnjëherë nuk do të ketë parti të reja, por do të mbretërojnë dy partitë e mëdha, PD dhe PS.
Kodi Zgjedhor
Gjykata Kushtetuese rrëzoi një vit më parë me kërkesë të Partisë së Pensionistëve nenin 68 dhe 71 të Kodit Zgjedhor, që detyron partitë të mbështeten nga jo më pak se 10 000 zgjedhës. Gjithashtu, kjo gjykatë e cilësoi diskriminuese depozitimin në mënyrë individuale nga zgjedhësit të nënshkrimeve të tyre në mbështetje të kandidatëve të pavarur apo partive jashtë parlamentare.
Mungon kryetari
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, nuk drejtoi seancën gjyqësore të kërkuar nga Partia Bashkimi i Pensionistëve të Shqipërisë. Në mungesë të tij, ish-kryetari i kësaj gjykate, Vladimir Kristo, drejtoi seancën gjyqësore, ndërsa nuk ishin të pakta pyetjet që ai u drejtoi palëve të interesuara në këtë gjykim. Nuk dihen arsyet e mungesës së Dedjes, por seanca e djeshme u zhvillua me 8 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Seanca e parë
Seanca e djeshme me Partinë e Pensionistëve të Shqipërisë ishte dhe seanca përuruese për anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha, në mandatin e tij 9-vjeçar. Hoxha kaloi me votat e maxhorancës në Kuvend tre javë më parë dhe filloi punë pasi bëri betimin para Presidentit të Republikës. Por, në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese në internet, ende nuk është reflektuar ky ndryshim, duke lënë ende në përbërje të saj ish-gjyqtarin e saj, Sokol Sadushi.
Komunat në Kolegj, rezultati përfundimtar shtyhet për në gusht
Bllokimi i vendimmarrjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të shpallur pavlefshmërinë në tri komuna ku nuk u mbajtën zgjedhjet më 8 maj, ka shtyrë për në muajin gusht nxjerrjen e rezultatit përfundimtar. Gjatë javës së ardhshme, KQZ-ja do të vendosë edhe për gjashtë komuna të tjera, ku zgjedhjet janë shpallur të pavlefshme ose prej saj, ose nga Kolegji Zgjedhor. Në të njëjtën kohë, KQZ-ja është duke pritur se çfarë vendimi do të japë trupa e gjyqtarëve për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në komunat: Shalë në Shkodër, Mollas në Korçë dhe Pishaj në Elbasan. Vendimi për këto njësi vendore u rrëzua më 12 korrik dhe nga dita e sotme mbeten edhe dy ditë që partitë të vënë në lëvizje Kolegjin për ta gjykuar çështjen. Mësohet se do të jetë sërish koalicioni i djathtë ai që do të ankohet në Kolegj. Burime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se me nxjerrjen e vendimit nga ana e Gjykatës, Komisioni do të mblidhet për të caktuar datën e zgjedhjeve dhe me më shumë mundësi ajo do të jetë e diela e fundit e korrikut. Nëse zgjedhjet do të mbahen më 31 korrik, KQZ-së do të duhet të presë të paktën 10 ditë përpara se nisë procedurat për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për zgjedhjet e 8 majit.
Në mbledhjen e fundit, anëtarët e KQZ-së nuk arritën konsensusin për të siguruar pesë votat e nevojshme për të shpallur pavlefshmërinë në tri komuna dhe në të njëjtën kohë të shmangnin ndërhyrjen e Kolegjit. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, akuzoi opozitën se nga muaji mars ka tentuar në çdo mbledhje të prishë zgjedhjet. “Si mund të bëhet një vendim për miratimin e rezultatit kur nuk ka rezultat? Kjo vetëm dashamirëse nuk është. Kjo nuk ka logjikë. Duhet t’ju vijë turp për mënyrën se si e shpërdoroni detyrën publikisht”, iu drejtua Ristani opozitës.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











