Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka dhënë një përgjigje mbi imunitetin e deputetëve, pas një kërkese për sqarim nga qeveria e Kosovës. Kështu, sipas Gjykatës më të lartë në vend, deputetët nuk i mbron imuniteti nga arrestimi. “Deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Kjo ka të bëjë me ndjekjen penale për veprat penale, të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit si deputetë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Deputetët nuk gëzojnë imunitet nga paditë civile për veprimet dhe vendimet jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre”, vazhdon komunikata. Po ashtu, sipas Gjykatës, pa imunitet është edhe Presidenti e anëtarët e qeverisë, nëse për ta ngritën padi civile ose penale jashtë fushëveprimit të funksioneve zyrtare që kryejnë. Vendimi prek direkt deputetin Fatmir Limaj, për të cilin EULEX ka ngritur aktakuzë për krime lufte.











