Sipas policisë, nëna e një fëmije i ka dhënë fund jetës duke u qëlluar me një çifte, brenda dhomës së gjumit. Kanë qenë të afërmit e saj, ata që pasi kanë dëgjuar të shtënat e armës së zjarrit vrapuan për t’i dhënë ndihmën e parë, por e kanë gjetur viktimën të pajetë, mes një pellgu gjaku. Hetimet e para nga ana e policisë, të cilët i janë referuar edhe dëshmive të familjarëve të saj, bëjnë të ditur se 28-vjeçarja e ka ndërmarrë një veprim të tillë, pasi prej kohësh ajo kishte shfaqur shenja të depresionit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e vona të së mërkurës, në fshatin Trush, komuna Bërdicë. Kujtime Limoni ka hyrë në dhomën e gjumit dhe aty ka qëlluar veten në gjoks, duke u vetëvrarë me çifte. Mësohet se viktima ishte e martuar dhe kishte një fëmijë. Të parët që e kanë mësuar tragjedinë kanë qenë familjarët e Limonit, të cilët janë munduar që ta shpëtojnë atë, duke e dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës. Të gjitha përpjekjet e familjarëve kanë qenë të kota, pasi sipas bluzave të bardha të spitalit të Shkodrës, 28-vjeçarja kishte ndërruar jetë menjëherë, si rezultat i plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për të hetuar mbi rrethanat e ngjarjes. Nga dëshmitë e grumbulluara nga familjarët dhe të afërm të tjerë, është mësuar se gruaja prej kohësh vuante nga depresioni. Policia ka marrë në pyetje familjarët, të cilët kanë konfirmuar dhe faktin e gjendjes së rëndë ekonomike të familjes Limoni. Sipas tyre, gruaja ishte e papunë, ashtu si dhe i shoqi, i cili angazhohej me punë sezonale, në ndërtim. Këto kushte dyshohet se kanë shkaktuar më tepër probleme në gjendjen psikologjike të 28-vjeçares, duke përfunduar deri në marrjen e vendimit ekstrem të vetëflijimit.
SHKODER/ RITVAN DIBRA











