
KURBIN- Një 34- vjeçar u qëllua për vdekje mbrëmjen e së mërkurës nga kushëriri i tij 20 – vjeçar.
Sipas burimeve policore ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 në fshatin Skuraj të Kurbinit, ku Kastriot Brozi, 34 vjeç, djali i vetëm i familjes së tij, u qëllua me breshëri automatiku, nga i dyshuari Elton Kola.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit mësohet se autori i dyshuar i vrasjes është një kushëri i viktimës, Elton Preng Kola, 20 vjeç, i cili banon në të njëjtin fshat, shumë afër me banesën e viktimës.
Autori i dyshuar ka mundur të shmangë policinë, pavarësisht postblloqeve të ngrituar nga kjo e fundit, ndërsa sipas burimeve zyrtare mësohet se dy janë pistat mbi të cilat po hetohet për krimin, por që të dyja lidhen me konflikt pronësie.
Kastriot Brozi ishte i pamartuar dhe sipas banorëve të zonës ka qenë një nga djemtë më të mirë të fshatit Skuraj të Kurbinit dhe joproblematik. Pritet që vetëm me arrestimin e autorit të krimit të mësohen dhe shkaqet e sakta që e shtynë atë drejt ekzekutimit të kushëririt të tij.
Policia ka kryer edhe ekspertizën e vendit të ngjarjes, ku sipas saj janë derdhur mbi 20 fishekë mbi 32-vjeçarin, ndërsa pritet përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për të konfirmuar këtë fakt.
© Panorama.al











