Kurbin, plagoset me armë pranë shkollës fëmija 8-vjeçar

May 14, 2011 | 9:41

KURBIN – Një fëmijë i moshës 8 vjeç është plagosur dje në rrethana të paqarta pranë shkollës 9-vjeçare ku mësonte. Fëmija ishte plagosur pranë një këndi lojërash afër shkollës 9-vjeçare në Fushë Milot. Ngjarja ka ndodhur dje pas mesditës. Kalimtarët e rastit e kanë gjetur fëmijën në gjendje të rëndë dhe më pas kanë njoftuar policinë. Forcat e rendit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, te shkolla në Fushë Milot të Kurbinit. Nga verifikimet e bëra në vendin e ngjarjes policia ka thënë se fëmija është gjetur nga kalimtarët, të cilët kanë njoftuar më pas në sallën operative. Pas këqyrjeve të nevojshme në vendin e ngjarjes, policia e ka transportuar fëmijën në drejtim të Spitalit Ushtarak në Tiranë. Deri dje në mbrëmje, autorët e ngjarjes nuk kanë qenë të identifikuar. Ndërkohë, policia konfirmoi se 8-vjeçari ishte plagosur me armë zjarri. Ai, me sa duket, është qëlluar në orët e paradites së djeshme duke mbetur i plagosur për disa orë. Policia lokale, e cila ka nisur hetimet për ngjarjen, tha se pistat kryesore që po hetohen janë plagosja e qëllimshme, ose një ngjarje e ndodhur në rrethana aksidentale. Shërbimet e Policisë Gjyqësore kanë marrë në pyetje disa persona të pranishëm në vendin e ngjarjes. Ndërkohë pritet që pas përmirësimit të gjendjes së fëmijës 8-vjeçar, të merren deklarime edhe prej vetë atij në lidhje me rrethanat e plagosjes.

© Panorama.al

Te lidhura