Kur teknologjia takon diplomacinë: libri që zbërthen sfidat dhe mundësitë e kohëve moderne

Apr 5, 2026 | 10:00

Në një kohë kur teknologjia po transformon çdo dimension të jetës moderne, nga ekonomia te komunikimi dhe politika, edhe diplomacia nuk mund të mbetet jashtë këtij evolucioni të shpejtë.

Sfidat e Teknologjise me Diplomacine
Pikërisht në këtë kontekst vjen për lexuesin shqiptar libri “Sfidat e Diplomacisë me Teknologjinë”, një botim i veçantë i dy diplomatëve shqiptarë, Jonlinda Hada dhe Adi Hoxha, i cili adreson një nga temat më aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare: ndërthurjen e diplomacisë me teknologjinë. Ky studim vjen në një moment kritik global, ku zhvillimet teknologjike po krijojnë sfida dhe mundësi të paprecedenta për shtetet dhe aktorët ndërkombëtarë.

Nga mënyra se si këto sfida do të menaxhohen, do të varen jo vetëm balancat e fuqive të mëdha, por edhe vetë e ardhmja e sistemit ndërkombëtar. Në këtë kuptim, libri përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në një fushë ende pak të eksploruar në Shqipëri, por që në arenën ndërkombëtare zë një vend gjithnjë e më qendror. Autorët sjellin një qasje të thelluar dhe njëkohësisht të qartë mbi evolucionin e diplomacisë – nga format tradicionale para viteve 2000 drejt diplomacisë digjitale, e cila është bërë veçanërisht e dukshme dhe funksionale pas vitit 2012. Ky transformim nuk lidhet vetëm me digjitalizimin e shërbimeve diplomatike, por edhe me përdorimin strategjik të rrjeteve sociale, komunikimit në kohë reale dhe platformave online si mjete të reja të politikës së jashtme.

Jonlinda Hada

Libri nuk është një monografi klasike akademike. Ai shmang strukturat e ngurta dhe ofron një ndërthurje të balancuar mes analizës dhe narracionit, duke e bërë leximin të rrjedhshëm dhe të kuptueshëm edhe për publikun e gjerë. Gjuha është e thjeshtë, pa mbingarkesa terminologjike, çka e bën këtë vepër të aksesueshme jo vetëm për studiuesit, por edhe për çdo lexues të interesuar për diplomacinë dhe zhvillimet globale. Një nga vlerat kryesore të këtij botimi qëndron në faktin se ai është rezultat i një pune kërkimore mbi pesëvjeçare.

Në një realitet ku botimet shpesh orientohen drejt komerciales, ky studim përfaqëson një përpjekje serioze akademike dhe profesionale për të sjellë një analizë të mirëfilltë mbi diplomacinë digjitale. Përvoja diplomatike dhe akademike e autorëve reflektohet qartë në trajtimin e temave si diplomacia publike, diplomacia kulturore, roli i mediave, aktorët joshtetërorë dhe ndërtimi i imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Ky botim i ri përforcon më tej këtë profil, duke e vendosur Hadën dhe bashkautorin e saj në një pozicion të veçantë në studimet shqiptare të diplomacisë bashkëkohore.

Libri është gjithashtu studimi i parë në vend që trajton në mënyrë të strukturuar këtë disiplinë, duke u mbështetur në një recensë shkencore nga Tonin Gjuraj, si dhe në kontributet e emrave të njohur të diplomacisë dhe akademisë shqiptare. Parathënia është realizuar nga Matthias Lufkens, ndërsa pasthënia mban firmën e Paskal Milo, së bashku me personalitete të tjera të njohura. Në thelb, “Sfidat e Diplomacisë me Teknologjinë” nuk është thjesht një libër, por një reflektim i një realiteti të ri ku diplomacia zhvillohet me ritme të shpejta, shpesh me një klikim dhe në hapësira virtuale.

Jonlinda Hada

Ai dëshmon se Shqipëria, ndonëse me një komunitet ende të kufizuar studiuesish në këtë fushë, po fillon të kontribuojë në mënyrë serioze në diskursin global mbi diplomacinë digjitale. Ky botim pritet të shërbejë si një referencë e vlefshme për studentët, akademikët, diplomatët dhe të gjithë ata që duan të kuptojnë më mirë se si teknologjia po riformëson artin dhe praktikën e diplomacisë në shekullin XXI.

Në këtë kuadër, vlen të vihet në dukje profili akademik i Jonlinda Hada, e cila nuk është e panjohur në botën e studimeve shkencore. Ajo ka botuar edhe vepra të tjera në gjuhën shqipe dhe të huaj, ndër të cilat spikat libri i vitit 2015 “Mbrojtja e Minoriteteve dhe Trajtimi i tyre në RSH”. Në këtë studim, Hada trajton një nga çështjet më komplekse dhe të debatuara të kohëve moderne – atë të minoriteteve – përtej perceptimeve sipërfaqësore, duke ofruar një analizë realiste dhe objektive.

Ajo shkon përtej imazhit tradicional për pakicat në Shqipëri, duke ndërtuar një tablo të plotë të realitetit të tyre përmes një qasjeje të mbështetur në burime të shumta dhe në ndërthurjen e dimensionit historik, juridik dhe teorik të shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Libri krijon te lexuesi një panoramë të gjerë që përfshin historinë, gjuhën, kulturën, ligjin, diskriminimin dhe proceset e integrimit, duke e konfirmuar autoren si një studiuese serioze dhe me potencial të lartë akademik.

© Panorama.al

Te lidhura