Dokumente të publikuara të premten nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së përfshijnë shkëmbime email-esh nga fundi i vitit 2013, në të cilat Elon Musk duket se po koordinonte një vizitë të mundshme në një ishull në Karaibe që i përkiste Jeffrey Epstein.
Sipas një raportimi të CNN, Musk kishte deklaruar më parë se i kishte refuzuar përpjekjet e Epstein për ta bindur të vizitonte një nga dy ishujt që ai zotëronte në Ishujt e Virgjër Amerikanë, Great St. James dhe Little St. James. Ky i fundit është lidhur me abuzimin e vajzave dhe grave të reja për dekada me radhë.
Më 13 dhjetor 2013, Musk i dërgoi një email Epstein-it duke shkruar se do të ndodhej “në zonën e Ishujve të Virgjër Britanikë/St. Barts” gjatë festave dhe e pyeste nëse kishte “një moment të përshtatshëm për vizitë”.
Epstein u përgjigj dy ditë më vonë se ditët e para të vitit të ri do të ishin të përshtatshme, duke shtuar se “gjithmonë ka vend për ty”.
Në Krishtlindje, në një email tjetër, Epstein shkruante se “data 2 ose 3 do të ishte perfekte” dhe se “do të vij të të marr”.
Musk fillimisht u përgjigj se do t’i duhej të kthehej me avion në Los Anxhelos mbrëmjen e 2 janarit, përpara se të shkruante se mund ta shtynte nisjen me një ditë. Në një mesazh pasues ai pyeti: “Kur shkojmë në ishullin tënd, më 2?”.
Ndërkohë, një email i dërguar më 16 korrik 2011 tregon Jeffrey Epstein duke e informuar Peter Mandelson se “e kaloi ditën me Gates” në Seattle. Në të njëjtin mesazh, Epstein shton se po kalonin “monstrous fun”, pra se po argëtoheshin jashtë mase.
Theksohet se përmendja e thjeshtë e një emri në këto dokumente nuk përbën në vetvete, provë për veprimtari të paligjshme.
Bill Gates ka pranuar publikisht se Epstein kishte qenë me të në “disa darka”. Në një intervistë për CNN në vitin 2021, ai kishte deklaruar se shpresonte që kontaktet e Epstein-it të mund të ndihmonin në mbledhjen e fondeve për nisma globale në fushën e shëndetësisë.
“Ishte një gabim i madh që kalova kohë me të dhe i dhashë atij kredibilitetin e pranisë sime,” kishte thënë Gates. Ai nuk specifikoi saktësisht se kur kishin ndodhur këto takime, megjithatë media amerikane kanë raportuar se ato datojnë mes viteve 2011 dhe 2014.
© Panorama.al













