Kuqezinjtë nisin përgatitjet anti-Bosnjë

May 26, 2011 | 11:20

Lojtarët e Kombëtares shqiptare kanë kryer një seancë stërvitore të lehtë dje në stadiumin “Niko Dovana”. 10 futbollistët e thirrur nga Kuzhe në grumbullimin që ai e quajti “paraprak”, kanë kryer vetëm disa vrapime të lehta në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, duke mos pasur mundësi që të stërviteshin në stadium, pasi aty po luhej ndeshja Shkumbini-Mamurrasi 1-0, e vlefshme për “play-out”. Aktualisht nën  urdhrat e Kuzhesë janë: Beqaj, Lala, Lila, Hidi, Bulku, Vrapi, Muzaka Hyka, Vangjeli dhe G.Lika. Akomodimi i stafit dhe i këtyre futbollistëve nuk do të bëhet në rezidencën ku ekipi është akomoduar vitet e fundit, por në një hotel tjetër në Durrës. Ndërkohë, stafi dhe menaxheri i ekipeve përfaqësuese nuk e ka parë të arsyeshme të bëjë publike axhendën e përgatitjeve të skuadrës, duke i trajtuar lojtarët (Lala, Beqaj, Bulku, Vangjeli etj.) si të ishin një ekip fëmijësh në një grumbullim të rëndomtë. Në uebsajtin zyrtar të FSHF-së nuk ka asnjë informacion për stërvitjet e skuadrës. Askush në FSHF nuk ishte në gjendje të thoshte dje se në cilën orë do të kryenin stërvitje lojtarët dhe në cilën fushë. Më 30 maj do të nisë grumbullimi zyrtar, ku pritet të paraqiten në grumbullim edhe pjesa tjetër e ekipit përfaqësues.

© Panorama.al

Te lidhura