Hamdi Salihi kërkohet nga skuadra angleze e Fulhamit, Januzi pranon kontaktet me gjermanët e Hanoverit, ndërsa Breshia mes problemesh kërkon të rregullojë sulmin me Bogdanin. Thuajse pjesa më e madhe e lojtarëve më të mirë të Kombëtares shqiptare janë në merkato, ose të paktën flitet për një lëvizje të mundshme të tyre në skuadra të tjera në Europë. Por ai që me shumë gjasa do kalojë te një klub tjetër gjatë këtij muaji, është Hamdi Salihi, i cili thuajse u la jashtë skuadre te Rapidi, kjo për faktin se sulmuesi nuk pranoi të rinovonte kontratën e tij, në bazë të kushteve që vendosën austriakët. Meqenëse kontrata e shkodranit përfundon në fund të këtij sezoni, atëherë Rapidi dëshiron të shesë këtë muaj me qëllim që të mos rrezikojë që Salihi të largohet në fund të sezonit me parametra zero. Ofertat për sulmuesin 28-vjeçar nuk kanë munguar gjatë kësaj periudhe, ndërsa në këtë afat kalimtar të merkatos dimërore ato janë intensifikuar. Menaxheri Erkan Sulejmani ka bërë të ditur disa nga bisedimet e tij për kalimin e Salihit në një kampionat tjetër. “Ka shumë interes për këtë lojtar dhe për momentin, dy janë mundësitë më të mëdha, kalimi në kampionatin anglez, ose atë turk. Për Salihin interesohet Fulhami në Angli dhe Gaziantepspori me Eskisehirspor në Turqi. Kemi folur edhe me klubin e Rapidit, me të cilin Salihi ka kontratë deri në qershor 2012, dhe ata duken të interesuar për ta shitur tani, në janar, ngaqë në qershor e dinë se lojtari i tyre mund të largohet i lirë, me parametra zero”, ka thënë Sulejmani. Bogdani – Edhe Erjon Bogdani vazhdon të krijojë interes në Serie B, ndërsa listës së skuadrave që kanë treguar interes për të i shtohet edhe Breshia. Nga kategoria e dytë italiane, ai është përmendur edhe për lëvizje të mundshme për te Varese apo Modena. Breshia ra nga Serie A sezonin e kaluar dhe po kërkon rikthimin duke përforcuar sidomos sulmin, pasi rrezikon një tjetër rënie. Skuadra renditet në vend të 16-të, jo shumë larg zonës së ftohtë të tabelës. Cana – Ekipi francez i Soshosë kërkon të përforcohet në merkaton e janarit dhe një nga objektivat është edhe futbollisti i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Trajneri Bazdareviç ka deklaruar se do përmirësojë ekipin, duke parë më së shumti nga lojtarët me përvojë në kampionatin francez, ku Cana ka luajtur për gati 8 vjet. “Do isha i lumtur nëse do vinte Cana, por problemi është rroga e lartë që ai merr tek Lazio dhe dëshira e Lorikut për të vazhduar eksperiencën te ekipi roman”, ka theksuar trajneri i Soshosë në mediat franceze. Januzi – Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Ahmed Januzi, është shumë pranë kalimit në Bundesligën gjermane te Hanover 96. Një lajm të tillë e konfirmon edhe vetë lojtari në një prononcim për mediat gjermane. “E di që trajneri Slomka dëshiron që të më ketë në skuadër. Kam folur me atë dhe me drejtuesit e klubit, por të jem i sinqertë, tratativa nuk është mbyllur ende. Të shpresojmë që në ditët në vazhdim të mund të firmos kontratën”, ka theksuar Januzi. Sulmuesi nuk ka as probleme me gjuhën, meqenëse familja e tij jeton prej disa vitesh në Gjermani. Ndërkohë menaxheri i tij, Mërgim Bekteshi, ka pohuar se deri tani skuadra e Hanoverit, ku luan edhe ish-kapiteni i Kombëtares sonë, Altin Lala ka ofruar 700 mijë euro, ndërsa Vorskla Poltava kërkon 1.5 milionë euro.
Kombëtarja: Lista, De Biazi zbor në Superiore
Xhani de Biazi
Xhani de Biazi do ta nisë aventurën e tij në krye të ekipit tonë përfaqësues me “zbor” për lojtarët e kampionatit shqiptar. Në bazë të njoftimit të publikuar dje nga Federata Shqiptare e Futbollit, tekniku italian do të startojë këtë grumbullim më 21 janar në hotel “Adriatik” në Durrës dhe po atë ditë është programuar një seancë stërvitore. Grumbullimi do vazhdojë deri më 25 janar dhe për çdo ditë është programuar nga një seancë stërvitore. Ja lista e plotë e të grumbulluarave: Orges Shehi (Skënderbeu), Stivi Frashëri (Bylis), Shpëtim Moçka (Flamurtari), Tefik Osmani (Teuta), Franc Veliu (Flamurtari), Renato Arapi (Skënderbeu), Dritan Smajlaj (Vllaznia), Shaqir Stafa( Teuta), Albi Dosti (Teuta(, Renato Hyshmeri (Teuta), Ansi Nika (Teuta), Bruno Telushi (Flamurtari), Gerhard Progni (Flamurtari), Ndriçim Shtubina (Flamurtari), Gentian Manuka (Kamza), Gjergji Muzaka (Skënderbeu), Renato Karabeci (Tirana), Afrim Taku (Tirana), Gilman Lika (Tirana), Vilfor Hysa (Flamurtari), Armando Vajushi (Liteks, Bullgari), Mirel Çota (Teuta) dhe Bekim Bala (Tirana).