Kuper: Dialogu larg pritjeve, rinisim më 30 nëntor

Nov 23, 2011 | 9:30

BRUKSEL- Duke qenë se rezultatet e raundit të shtatë dialogut  midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me praninë e SHBA-ve, të mbajtur në Bruksel më 21 dhe 22 nëntor 2011, ishin larg pritjeve të BE-së, ndërmjetësi Robert Kuper caktoi takimin e radhës me  30 nëntor 2011.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, gjatë  bisedimeve të fundit u diskutuan problemet e moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë si dhe u diskutuan çështjet e bashkëpunimit rajonal, telekomit, energjisë si dhe u hap çështja e menaxhimit të integruar të kufirit shtetëror mes Kosovës dhe Serbisë.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u angazhua për gjetjen e zgjidhjeve në çështjet e shtruara, në harmoni me kushtetutën e Republikës së Kosovës, interesat nacionale dhe parimet euro-atlantike. Delegacioni i Kosovës i dha rëndësi prioritare implementimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe konfirmoi se pala e Kosovës ka kryer të gjitha detyrimet,  ndërsa vuri në dukje dështimet e Serbisë në përmbushjen e tyre dhe kërkoi nga BE-ja angazhim më të fuqishëm në këtë drejtim.

Sipas komunikatës së qeverisë,  u arrit marrëveshja për implementimin e njohjes reciproke të diplomave universitare, ku palët u pajtuan që Asociacioni i Universiteteve Evropiane të bëjë certifikimin e diplomave dhe implementimi të fillojë me 1 janar 2012. Ndërkaq lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të tjera, pala serbe u shmang.

Për sa i përket çështjes së bashkëpunimit rajonal, procesi shënoi disa përparime konkrete por megjithatë dallimet mes palëve vazhdojnë të jenë të mëdha kryesisht  për shkak të mosgatishmërisë së Serbisë për të ndryshuar qasjen e sajë penguese për bashkëpunim rajonal dhe ndaj Kosovës në veçanti.

Në dialog u shtrua edhe çështja e menaxhimit të integruar të kufirit shtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, dhe ky ishte rasti i parë i paraqitjes së pikëpamjeve zyrtare të dyja palëve për këtë çështje.

Sipas komunikatës, delegacioni i Kosovës mbrojti qëndrimin se menaxhimi i integruar i kufirit është një model evropian i pranueshëm për shtetin e Kosovës sepse është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e sajë si dhe angazhohet për një marrëveshje që bazohet në parimet evropiane për menaxhimin e integruar të kufirit sipas Traktatit të Lisbonës. Delegacioni i Kosovës bëri të qartë se refuzon çfarëdo përpjekjesh të Serbisë për ta politizuar këte çështjeje.

Çështjet e telekomit dhe energjisë u diskutuan po ashtu por nuk pati rezultate konkrete.  Si edhe në takimet e mëhershme, pala e Serbisë nuk shfaqi ndonjë angazhim serioz për gjetjen e zgjidhjeve.

Delegacioni i Kosovës në fund të takimit kërkoi respektimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian për një dialog të suksesshëm që përfshinë zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë  dhe arritjen e marrëveshjeve të reja për çështjet në agjendë, duke theksuar se vendimet dhe veprimet duhet të jenë të shpejta në mënyrë që ti jepet kohë e mjaftueshme Këshillit Evropian për të matur performancat e palëve para vendimit për avancimin  e vendeve drejtë BE-së.

© Panorama.al

Te lidhura