Kunati vret dhëndrin me thikë, i dhunonte motrën

Nov 5, 2011 | 13:38

Shtëpia ku u vra Xhevdet Xhepa

Kunati vret me thikë dhëndrin se i rrihte të motrën. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Pinar të komunës Zall-Herr, në periferi të Tiranës.

Kunati vret me thikë dhëndrin se i rrihte të motrën. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Pinar të komunës Zall-Herr, në periferi të Tiranës. Viktima e ngjarjes sipas Policisë është Xhevdet Xhepa, 40 vjeç, baba i katër fëmijëve të mitur. Ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është 38-vjeçari Astrit Elezi, vëllai i gruas së viktimës. I dyshuari u arrestua vetëm 30 minuta pas ngjarjes, në banesën e tij në fshatin Ferraj të Tiranës. Krimi në familje, sipas Policisë, dyshohet të ketë ndodhur pas zënkave të vazhdueshme që viktima ka pasur me të shoqen, e cila pretendon se ai e rrihte sistematikisht pa ndonjë arsye. Një zenkë e tillë ka ndodhur edhe dje kur gruaja e viktimës, Flutura Xhepa, ka kërkuar ndihmën e të vëllait, duke e lajmëruar në telefon, pasi i shoqi e kishte rrahur. Para se të ndodhte vrasja, mes Xhepës dhe kunatit të tij, Elezi, ka pasur një sherr dhe ata janë goditur me grushte me njëri-tjetrin. Pas përleshjes, i dyshuari për vrasjen ka goditur burrin e motrës disa herë me thikë, në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas krimit ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia është lajmëruar nga bashkëshortja e viktimës.
VRASJA
Policia është njoftuar rreth orës 16:00, se në fshatin Pinar të komunës Zall-Herr, rreth 30 kilometra në lindje të Tiranës, ka ndodhur një krim në familje. Ajo që ka telefonuar policinë për ngjarjen është Flutura Xhepa, bashkëshortja e viktimës e njëherësh motra e autorit të krimit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Komisariatit Nr.5 dhe oficerët e Krimeve të Rënda. Burimet thanë se autori i dyshuar i ngjarjes kishte arritur të largohej nga shtëpia e dhëndrit të tij, ku kishte kryer krimin dhe u arrestua pas negociatave të policisë, rreth 30 minuta më vonë, në fshatin Ferraj. Në shtëpinë ku ndodhi krimi, policia ka gjetur gruan që kishte denoncuar ngjarjen, ndërsa katër fëmijët e çiftit ishin mbyllur në dhomën e gjumit para se të fillonte sherri që më pas solli vrasjen. Sipas Policisë, viktima është transportuar në morgun e Tiranës, pasi është gjetur i pajetë në kuzhinën e shtëpisë së tij, nga disa goditje me thikë.
DESHMIA
Personi i parë që është pyetur rreth vrasjes së 40-vjeçarit Xhevdet Xhepa ka qenë gruaja e tij, njëkohësisht motra e autorit, Flutura Xhepa. Ajo ka deklaruar në polici se i shoqi e keqtrajtonte sistematikisht. Sipas saj, ajo kishte 16 vjet e martuar me Xhepën, ndërsa vitet e fundit ai kishte filluar të ushtronte dhunë ndaj saj, duke e rrahur në sy të fëmijëve. Gjithashtu, ajo ka deklaruar se i shoqi nuk konsumonte pije alkoolike dhe nuk kishte as ndonjë pakënaqësi nga ajo, por gjithçka sipas saj vinte nga kushtet e vështira ekonomike dhe papunësia. Për këtë arsye ajo kishte kërkuar disa herë ndërhyrjen e familjarëve të saj për të rregulluar marrëdhëniet me të shoqin.

Familjarët
Mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e viktimës, Xhevdet Xhepa, ishin mbledhur të gjithë të afërmit e tij, duke pritur të mbërrinte trupi i pajetë nga morgu. Katër fëmijët, dy vajzat 14 e 12 vjeçe dhe dy djemtë, 10 dhe 4 vjeç, që pas momentit të ngjarjes ishin larguar te xhaxhai i tyre, i cili i kishte marrë në shtëpinë e vet, në mënyrë që të mos e shihnin të atin kur të kthehej i pajetë në shtëpi. Të afërmit e Xhepës u shprehën mbrëmë se nuk janë në dijeni të konfliktit që ka ndodhur mes bashkëshortëve. Gjithçka ata thanë se e kanë mësuar nga policia, pasi bashkëshortja e viktimës nuk i ka lajmëruar për ngjarjen.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura