Kultivuan 1.8 ton kanabis me sera në Berat, SPAK kërkon 133 vite burg në total për 17 të pandehurit! Ja sa rrezikon secili prej tyre (EMRAT)

Mar 26, 2026 | 14:09

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar 133 vite burg në total për 17 të pandehurit e akuzuar për kultivimin e rreth 1.8 tonëve kanabis përmes serave në fshatin Drenovicë të Beratit.

spak-1-1

Të pandehurit do të gjykohen me procedurë të shkurtuar dhe do të përfitojnë ulje të dënimit. Mësohet se për katër nga të pandehurit, Bashkim Mema, Drita Mema, Izmire Mema dhe Edison Mema, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pezullim të dënimit me burg dhe vënien e tyre në provë për një periudhë prej tre vitesh.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga ky aktivitet rezulton që të jenë përftuar në total një sasi prej 1.7-1.8 ton kanabis sativa.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e armëve dhe municionit”.

Pretenca e SPAK për 17 të pandehurit: 

Sadetin Hasaj – 13 vite burg
Blerim Xheka – 13 vite burg
Sidrit Bisha – 10 vite burg
Suad Smakaj – 9 vite burg
Jurgen Ujkaj -10 vite burg
Samoel Lushaj – 10 vite burg
Endriol Xheka – 9 vite burg
Mirvaldo Disha 0 9 vite burg
Hamdi Dyli – 8 vite burg
Arben Vrapi – 6 vite burg
Adiol Çifkiku – 6 vite burg
Lulzim Bushataj – 5 vite burg
Mustafa Manej – 5 vite burg
Bashkim Mema – 5 vite burg
Drita Mema – 5 vite burg
Izmire Mema – 5 vite burg
Edison Mema – 5 vite burg

Kujtojmë që operacioni u ndërmor më 10 nëntor 2022, gjatë të cilit u kap një sasi prej 870 kg kanabis. Serat shtriheshin në një hapësirë deri në 20-27 dynym, në zonën e Rërës, Drenovicë, ku 4 sera të mbyllura me plastmasë ishin përdorur për të kultivuar dhe përpunuar lëndën narkotike. Nga aktiviteti rezultoi të jetë përftuar në total një sasi prej 1.7 deri në 1.8 ton kanabis sativa.

Organizimi, drejtimi dhe financimi i “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”,  organizimi, drejtimi dhe financimi i “Kultivimit të bimëve narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer më shumë se një herë, bëhej nga të pandehurit Blerim Xheka e Sadetin Hasaj.

Aktiviteti i “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve dhe i “Kultivimit të bimëve narkotike” ushtrohej dhe mbikqyrej njëherazi nga të pandehurit; Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj e Mirvaldo Disha.

Të pandehurit; Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Hamdi Dyli dhe Samoel Lushaj mbanin dhe armë pa leje në mbrojtje të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm.

Aktiviteti i “Kultivimit të bimëve narkotikëve” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” ushtrohej kryesisht nga të pandehurit; Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema.”

“Sipërfaqet e tokave ishin marrë më parë me qera, nga të pandehurit; Hamdi Dyli e Arben Vrapi dhe familjarët e tyre (përmes kontratave). Pasi janë siguruar farat e kanabisit dhe fidanët dhe janë marrë dhe banesa me qera në Berat, për të qenë më afër aktivitetit ditor, është ngritur infrastruktura për mbjelljen dhe kultivimin e tyre, me qëllim shitjen e mëtejshme- e kryer nga Korriku 2022; të gjithë pandehurit dhe veçanërisht dy të akuzuarat femra, janë marrë me “rekrutimin” e krahut të punës/fuqisë punëtore nga qytete e rrethina të Shqipërisë, kundrejt joshjeve për pagesa të mira ditore për të  punuar në sera, transport falas dhe sigurimit të fjetjes në ambientet sera, ku ishin krijuar edhe fjetore.

Të pandehurit janë angazhuar aktivisht në kujdesin ndaj bimëve narkotike, mbarëvajtjes së aktivitetit kultivues, prerjes, tharjes e pastrimit të boçeve të kanabisit, shitjes së mëtejshme, shpenzimeve për mjete të domosdoshme pune, ushqime e medikamente për bimët, medikamente mjekësore si dhe pagesat e punëtoreve në sera.”, thuhej në njoftimin e SPAK.

© Panorama.al

Te lidhura