Kukës, kandidati i pavarur Rrahman Dema merr komunën e Tërthores

May 12, 2011 | 10:06
Kukes

KUKES – Shuhet kurioziteti për rezultatet në komunat Tërthore dhe Shtiqën. Pas numërimit të votave, komunën Shtiqën do ta drejtojë sërish Gëzim Shehu i PD-së, ndërsa Tërthoren Rrahman Dema, i cili ka kandiduar si pavarur, por që sërish pas fitores i është bashkuar PD-së, e cila nuk e kishte kandiduar, duke preferuar një tjetër kandidat, i cili është renditur i katërti. Dema, një biznesmen nga fshati Bardhoc, kishte kërkuar kandidimin nën siglën e PD-së, por PD-ja fillimisht kishte parashikuar t’ia linte LSI-së dhe në momentin e fundit u bë ndërrimi, u caktua Gazmend Hallaçi. Dema, i cili kishte mbështetur PD-në më parë, kandidoi i pavarur dhe mori 555 vota, i ndjekur nga kandidati socialist me 12 vota më pak. Pas shpalljes fitues ai deklaroi se “moskandidimi im në emër të PD-së ishte një gabim i strukturave të PD-së. Unë, që në nisje të fushatës kam thënë se i përkas me rrënjë e me degë PD-së. Tani mandati im do të jetë politik dhe është për Sali Berishën dhe PD-në”, u shpreh Dema pas fitores. Kjo komunë, që kufizohet nga qyteti i Kukësit deri në kufi me Kosovën dhe që përshkruhet nga autostrada deri në doganën e Morinit, është drejtuar dy herë radhazi nga Remzi Veseli i PS-së, i cili u vra natën e 25 tetorit të kaluar në derën e shtëpisë. Veseli kishte mundur t’ia shkëpuste PD-së këtë komunë dhe kishte shprehur ambicie për rikandidim. Në garë sivjet ishin katër kandidatë, tre të PD-së (dy prej të cilëve nuk morën miratim nga strukturat dolën me LZHK-në dhe një i pavarur) dhe një i PS-së.
Ndërkohë, në komunën Shtiqën, PS-ja pati realisht dy kandidatë, Astrit Cengun, i PS-së dhe Dash Shehun, i cili doli si përfaqësues i një koalicioni të vogël, të majtë, pasi nuk u miratua nga strukturat e PS-së. Duket se kjo solli copëtim të votave, duke i dhënë më shumë mundësi Gëzim Shehut të PD-së. j.h

© Panorama.al

Te lidhura