Kukës, gjuetia me eksploziv zhduk në masë peshqit e liqenit

Sep 9, 2011 | 10:56

KUKES – Prej muajsh, peshku i liqenit të Kukësit mungon në treg. Shkak është bërë mosrënia prej muajsh në rrjetat e peshkatarëve të peshqve tradicionalë, si krapi, luçiperka dhe karasi, por vetëm sasi të vogla të gjuhcës, një peshk sa madhësia e gishtave të dorës. Peshkatarët dhe specialistët lëshojnë alarmin se peshku në këto ujëra është pakësuar në maksimum dhe rrezikon të zhduket në masë, nëse nuk hidhen rasate të reja dhe nëse nuk ndërpritet gjuetia më eksploziv e lëndë kimike që ka shfarosur në masë faunën nënujore të këtij liqeni, më i madhi liqen artificial në vendin tonë me sipërfaqe 90 km katrorë. E në rastet kur në rrjeta bie peshk, raste gjithnjë e më të rralla, në treg ky peshk (luçiperka) ka arritur një çmim rekord me 1200 lekë të rinj kilogrami. Vetëm dy vite më parë i njëjti peshk shitej me 500 lekë dhe madje deri në 200. Shumica e peshkatarëve e kanë ndërprerë këtë aktivitet dhe ata që kanë investuar për blerjen e rrjetave kanë falimentuar. Në këto sipërfaqe janë vetëm 8 grupe të licencuara, ndërkohë që 200 të tjera janë në aktivitet të paligjshëm, duke përdorur metoda dhe mjete shfarosëse në gjueti, siç janë lëndët plasëse dhe ato kimike. Arben Palushi, inspektor peshkimi në këto ujëra, thotë se peshku rrezikon të zhduket nëse nuk frenohet kjo lloj gjuetie. “Kërkojmë dhe ndihmën e gjithë organeve të tjera dhe agjencive ligjzbatuese për të frenuar këtë dukuri. Gjithashtu është urgjente hedhja e rasateve në liqen, pasi ka afro 5 vite që nuk është hedhur”, thotë Palushi. Dikur, liqeni i Kukësit përballonte gjithë kërkesat për peshk në rajonin e Kukësit, por edhe më gjerë në vend, ndërsa në 12 vitet e fundit dhe në tregun e Kosovës.                              j.h

15 LLOJ
peshqish, sipas specialistëve, rriten në ujërat e liqenit të Kukësit, por si pasojë e gjuetisë së paligjshme dhe hedhjes së kimikateve ata u rralluan

© Panorama.al

Te lidhura