Kukan: Kolegji të marrë asistencë nga K.Venecias

May 27, 2011 | 14:43

Kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Jug-Lindore, Eduard Kukan sugjeron asistencën e Komisionit të Venecias ndaj Kolegjit Zgjedhor në marrjen e vendimeve profesionale e të pandikuara nga politika, duke theksuar se pret që politikanët e Tiranës të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe në interes të vendit.

Në një intervistë për Deutsche Welle në shqip, Kukan flet për situatën paszgjedhore në Shqipëri për të cilën thotë se është e ngjashme me atë të paszgjedhjeve të vitit 2009, duke shtuar se nëse dëmtohet integriteti i procesit zgjedhor Shqipëria dëmtohet shumë dhe sidomos qytetarët e saj.

“Ekspertë ligjorë dhe ekspertë të Kolegjit Zgjedhor duhet të marrin vendime të mbështetura në ligj dhe nëse ata kanë paqartësira, mund t’ u drejtohen institucioneve ndërkombëtare, ndofta Komisionit të Venecias, që ka profesionistë të vërtetë. Ne po i bëjmë thirrje këtij Kolegji të ndjekë procedura profesionale, transparente dhe të marrë vendime të pavarura nga politika”- thekson Kukan.

Dita e zgjedhjeve për Kukan ka qenë një ditë e mirë dhe e qetë, por në momentin që KQZ vendosi për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara situata u tensionua, sipas tij, vetëm në Tiranë pasi në qytetet e tjera thuajse gjithçka ka shkuar mirë.

“Shkurt, situata aktuale në Shqipëri është e ngjashme me atë të pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Them kështu pasi në thelbin e kësaj situate, të krijuar pas ditës së votimeve, qëndron përsëri mungesa e vullnetit politik, apo paaftësia e drejtuesve politikë, për t’u përfshirë në një dialog të vërtetë, për të gjetur zgjidhje konsensuale të situatës, për të kapërcyer diferencat në qëndrime dhe arritur kompromisin, marreveshjen që mund të sigurojë funksionimin e institucioneve demokratike”- është shprehur Kukan.

Procesi ende nuk ka mbaruar, thekson Kukan në intervistë, por për të, zhvillimet post- elektorale tregojnë se ka mosmarröveshje të thella mes partive politike.

Ndërsa, kërcëniemt e opozitës për mosbindje qytetare, Kukan i ka quajtur qendrime jo të mençura politike, pasi sipas tij, këto deklarata dhe paralajmërime nuk janë në linjë me vetëpërmbajtjen, që Baronesha Ashton dhe komisioneri Fuele u kërkuan partive politike të Tiranës.

Sipas, Kukan të bësh deklarata se unë jam fituesi dhe nëse jo, do të organizosh protesta dhe demostrata, nuk është përqasja e duhur politike.

© Panorama.al

Te lidhura