Kukan: Kolegji mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias

May 28, 2011 | 10:59

Në një intervistë për radion “Dojçe Vele”, kryetari i Delegacionit Parlamentar në Parlamentin Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, flet për procesin zgjedhor në Shqipëri. Kukan shprehet se Kolegji Zgjedhor duhet të marrë një vendim të bazuar në ligj dhe, nëse e sheh të arsyeshme, të kërkojë ndihmën ligjore të Komisionit të Venecias.”Mendoj që institucionet ndërkombëtare mund të ndihmojnë në garantimin e marrjes së vendimeve nga Kolegji Zgjedhor, vendime që duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe të pavarura”, thotë Kukan. Sipas tij, situata aktuale në Shqipëri është e ngjashme me atë të pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Kukan shprehet më tej se situata duhet të ndryshojë pozitivisht, në të kundërt Shqipëria do të dëmtojë interesat e qytetarëve të saj në procesin e integrimit. “Shumë seriozisht dhe me përgjegjësi them që e dëmton shumë Shqipërinë dhe sidomos dëmton rëndë interesat e njerëzve”, tha Kukan.
A ka garanci që vendimi i Kolegjit Zgjedhor për fituesin e zgjedhjeve bashkiake në Tiranë të jetë profesional dhe i pavarur nga ndikimi i politikës? Drejtësia e kapur nga politika është një nga mangësitë e sistemit demokratik në Shqipëri, e vënë në dukje në progres-raportet e KE-së. Po tani si mendoni se duhet të veprojë Kolegji Zgjedhor?
Ekspertë ligjorë dhe ekspertë të Kolegjit Zgjedhor duhet të marrin vendime të mbështetura në ligj dhe nëse ata kanë paqartësi, mund t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtare, ndoshta Komisionit të Venecias, që ka profesionistë të vërtetë. Ne po i bëjmë thirrje këtij Kolegji të ndjekë procedura profesionale, transparente dhe të marrë vendime të pavarura nga politika. Baronesha Ashton dhe komisioneri Fyle dolën me një deklaratë të përbashkët në fillim të kësaj jave, ku u kërkuan partive vetëpërmbajtje, pasi procesi zgjedhor nuk ka përfunduar dhe Kolegji Zgjedhor pritet të marrë vendimet e tij. Mendoj që institucionet ndërkombëtare mund të ndihmojnë në garantimin e marrjes së vendimeve nga Kolegji Zgjedhor, vendime që duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe të pavarura.
Si do ta karakterizonit situatën politike në Shqipëri? Ju ishit në krye të Delegacionit të Parlamentit Europian, që vëzhgoi se si shkoi dita e zgjedhjeve, 8 maji dhe sapo keni raportuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të këtij Parlamenti gjetjet dhe përshtypjet tuaja.
Përshtypja e Delegacionit të Parlamentit Europian për ditën e zgjedhjeve, 8 majin, ishte që ajo shkoi në përgjithësi mirë, qetë, pati disa parregullsi, por jo të ndonjë rëndësie dramatike. Zhvillimet që pasuan ditën e zgjedhjeve krijuan probleme vetëm në Tiranë, pasi në pjesë të tjera të vendit këto probleme nuk u shfaqën. Ato u krijuan kur KQZ mori vendimin që të përfshinte në numërimin e votave edhe ato fletë votimi të hedhura gabimisht jo në kutinë e votimit për kryetarin e Bashkisë, po në kuti të tjera. Opozita e kundërshtoi këtë vendim të KQZ-së, duke organizuar protesta dhe demonstrata. Vendimi i KQZ-së preku integritetin e procesit zgjedhor. Shkurt, situata aktuale në Shqipëri është e ngjashme me atë të pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Them kështu pasi në thelbin e kësaj situate të krijuar pas ditës së votimeve, qëndron përsëri mungesa e vullnetit politik, apo paaftësia e drejtuesve politikë për t’u përfshirë në një dialog të vërtetë, për të gjetur zgjidhje konsensuale të situatës, për të kapërcyer diferencat në qëndrime dhe arritur kompromisin, marrëveshjen që mund të sigurojë funksionimin e institucioneve demokratike. Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, por zhvillimet postelektorale tregojnë se ka mosmarrëveshje të thella mes partive politike, të cilat shkaktojnë tensione të larta politike dhe çojnë në kërcënimin nga ana e opozitës për të bojkotuar përsëri aktivitetet e Parlamentit, gjë që nuk është normale në një shoqëri demokratike, e cila duhet të mbajë gjallë dialogun e vërtetë politik dhe t’ i zgjidhë problemet përmes tij.
Zgjedhjet lokale të 8 majit janë parë nga BE si testi kryesor që do të tregojë progresin apo stanjacionin në ecurinë demokratike të Shqipërisë. Situata që sapo përshkruat krijon idenë se ky test nuk u kapërcye. Sa e dëmton prishja e integritetit të procesit zgjedhor procesin e integrimit europian të Shqipërisë?
Shumë seriozisht dhe me përgjegjësi them që e dëmton shumë Shqipërinë dhe sidomos dëmton rëndë interesat e njerëzve.
Z. Kukan, a i druheni opsionit të destabilizimit të vendit, radikalizimit të situatës përmes mosnjohjes së institucioneve dhe përshkallëzimit të protestave të opozitës në nivel kombëtar?
Nuk është një qëndrim i mençur politik të bësh deklarata për ultimatume, apo paralajmërime për “mosbindje qytetare”. Këto deklarata dhe paralajmërime nuk janë në linjë me vetëpërmbajtjen që Baronesha Ashton dhe komisioneri Fyle u kërkuan partive politike të Tiranës. Të bësh deklarata se unë jam fituesi dhe nëse jo, do të organizosh protesta dhe demonstrata, mendoj se nuk është përqasja e duhur politike.
Çfarë shpresash keni që kjo të mos ndodhë dhe situata të normalizohet?
Politikanët nuk mund të shprehin shpresa. Shpresa është një nocion shumë abstrakt. Pres që politikanët e Tiranës të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe në interes të vendit.

Ndërkombëtarët

Faktori ndërkombëtar është investuar në zgjidhjen e situatës postzgjedhore në Shqipëri. Kryetari i Delegacionit Parlamentar në Parlamentin Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, drejtoi debatin në Parlamentin Europian në lidhje me situatën në Shqipëri, duke kërkuar që ajo të zgjidhet në mënyrën më të mirë. Sipas tij, institucionet duhet të veprojnë sipas ligjit dhe të japin përgjigjet e duhura për situatën.

Brey: Ndërkombëtarët të ishin investuar më shumë

Drejtuesi i zyrës së Ballkanit të agjencisë gjermane të lajmeve “DPA”, Thomas Brey, në një intervistë për “Dojçe Velen”, u shpreh se ndërkombëtarët nuk duhet të flasin me shumë zëra për Shqipërinë. Sipas njohësit të mirë të Ballkanit, kjo është kundërproduktive. “Këtu qëndron tamam një pjesë e problemit. Publiku ndërkombëtar flet me shumë zëra. Natyrisht që në vende si Shqipëria kjo është krejtësisht kundërproduktive. Kjo ka të bëjë me faktin se organizatat që janë përfaqësuar fort në Tiranë, si OSBE, BE, OKB, janë (për nga struktura) me shumë shtresa dhe nuk flasin me një zë, secili merret me punën e vet: amerikanët, europianët… Europianët nuk janë të të njëjtit mendim as brenda vetes. Kështu që në interpretimin e këtyre zgjedhjeve dëgjon shumë versione që nuk krijojnë pamje të qartë”, tha Brey. Në lidhje me zgjedhjet, ai tha se “vërtet që OSBE dhe BE thonë që këto zgjedhje nuk qenë në përputhje me standardet demokratike perëndimore, por ato nuk thonë qartë nëse rinumërimi ishte i kundërligjshëm”.

© Panorama.al

Te lidhura