Kujtimet e Jovanka Broz, që po trondisin Serbinë

Aug 25, 2014 | 15:43

Jovanka Broz dhe Josip Broz Tito
Josip Brozi i vërtetë ishte një djalosh që, përpara se të arratisej nga Rusia, kishte punuar si ndihmës i një kovaçi. Veçse, një hamall, nuk mund ta shfaqë veten si fisnik, nuk mund të kalërojë sikur të kishte ndjekur kurse hipizmi, nuk i bie pianos sikur të kishte studiuar në Konservator. Të gjitha cilësi këto, që Tito i kishte të lindura

Kur vdiq një vit më parë në spitalin e Beogradit, e veja e Titos, Jovanka Broz, me siguri që të gjithë menduan se iku një nga njerëzit e vetëm që do të mund të zbulonte disa të fshehta rreth jetës së ish-udhëheqësit jugosllav, Josip Broz Tito. Veçanërisht të rëndësishme ishin për këdo të fshehtat e izolimit 40-vjeçar.
Së paku në Serbi, ndofta askush nuk dyshonte se Jovanka mund të ketë lënë një dorëshkrim që do të ishte me mjaft interes në vendin ku jetoi e izoluar. Dhe në fakt, e bindur për këtë, Jovanka Broz, pasi i shkroi, i dërgoi kujtimet e saj larg Serbisë, duke iu ruajtur kështu shërbimeve sekrete, të cilët aktualisht janë duke bërë ç’është e mundur të ndalojnë botimin e këtij ditari, që do të botohet jashtë Serbisë. Siç edhe ishte amaneti i saj i fundit, dorëshkrimi do të dilte në dritë pas vdekjes së ish-zonjës së parë të Jugosllavisë, dëshmitare e shumë lëvizjeve politike vendore e ndërkombëtare.
“Në kujtimet e saj, Jovanka Broz ka shkruar për gjithçka deri tani të panjohur rreth figurës së bashkëshortit të saj Tito. Gjithashtu ajo jep arsyet e rrëzimit të Aleksandar Rankoviçit. Zbulon ku janë eshtrat e Drazha Mihajloviçit, kush e si u punua gjatë kohës së okupacionit, si dhe rrëfime nga jeta e kundërshtarëve politikë të kohës së saj”, shkruan gazeta e Beogradit, “Veçernje Novosti”. Edhe kaq pak sa është bërë publike në media, ka mjaftuar për të tronditur Serbinë. Deri sot, thuhet se ditari i ishte besuar mikut të saj jashtë Serbisë, regjisorit Milan Saraç.

Ditët e fundit të jetës së Jovanka Broz

Jovanka Broz
Prej muajsh, përpara se të ndahej nga jeta në moshën 89-vjeçare, Jovanka mbijetonte vetëm falë aparatit të frymëmarrjes artificiale, ndërsa kjo gjë u bë e ditur vetëm pas vdekjes së saj. Vetëm tani mund të kuptohet se fakti që ndenji në hije për një kohë aq të gjatë, tregon se nuk e bëri nga droja, por nga mençuria. Në fakt, Jovanka, shkruanin gazetat pas vdekjes së saj, qysh prej vdekjes së të shoqit iu nënshtrua një farë “torture të ligjshme”; ishte e detyruar të jetonte e vetme në vilën në Dedinje, që i përkiste Titos. Askush nuk kujdesej as për të e as për shtëpinë; nuk kishte as pajisje për t’u ngrohur në ditët më të ftohta të dimrit.
Që kur, nga fundi i viteve ’70, Josip Broz nisi t’i rrallojë daljet publike për shkak të sëmundjes, Jovanka, gruaja e tij e pestë, nisi të bëjë pjesë në atë grupim njerëzish që të tjerët mendonin se do të vijonin qeverisjen. Të gjithë e dinin se nuk kishte qenë më e dashura nga të gjitha: nga seria e gjatë e ngushëllueseve të burrit misterioz, ishte spikatur vetëm Davojanka Paunoviç, e ashtuquajtura “Zdenka”, e vetmja që mundi të shkaktojë tek ai emocione të forta.
Kronikat e luftërave partizane (jo ato zyrtaret) tregojnë ende të sikletosura se luftëtarët, në përpjekje për t’u mbijetuar nazistëve në malet e Serbisë, dëgjonin britmat e kënaqësisë të Titos me Zdenkan, çka mund t’i bënte të arritshëm nga armiku.
Ndoshta edhe për këtë arsye, Jovanka ngeli gjithnjë gruaja e buzëqeshur e fjalëpakë. Në një nga intervistat e rralla që ka dhënë, ka pohuar: “Unë dhe Tito nuk patëm kurrë një martesë të mirëfilltë. Unë u izolova, isha e detyruar të qëndroja në një rezidencë e mbikëqyrur në çdo çast. Bën gjithçka për të na mbajtur të ndarë, sepse më akuzuan se unë doja të komplotoja kundër tij. Përpiqeshin të rregullonin pazaret e tyre përmes meje”. Më pas, me vdekjen e të shoqit më 1980-n, vit ku ishte dhe shfaqja e saj e fundit zyrtare në varrim, për Jovankën nisi një jetë vetmitare. “Më dëbuan nga rezidenca zyrtare, ashtu siç u gjenda, me këmishë nate. Nuk pata mundësinë as të merrja një rrobë, një libër apo një fotografi. Nga ai çast e më pas më trajtuan si kriminele; nuk mundja më të dilja nga shtëpia pa qenë e shoqëruar nga roje të armatosur e as të kisha kontakte me njerëz të tjerë”. Nga kjo kohë, Jovankës iu dha një vilë në Dedinje, prej nga nuk do të dilte më deri sa përfundoi në spital.
Pasi lajmi i vdekjes së saj u shpërnda në Ballkan e në botë, ishin të shumtë ata që ngritën zërin se kush duhet të turpërohej për këtë sjellje ndaj saj. Analisti dhe eksperti i historisë ushtarake, Miroslav Lazansky, shtroi pyetjet: “Pse e detyruan për vite të tëra të qëndronte në izolim? Pse i mohuan të drejtat më elementare? Pse nuk e lejuan të votonte? Pse i zhdukën edhe dokumentet personale, duke i mohuar kështu të drejtën për të udhëtuar? Pra, kush kishte frikë prej saj dhe pse?”.  
Të gjitha këto pikëpyetje që frikësonin dikë apo shumë, duket se kanë përgjigje në kujtimet e Jovankës, përderisa shërbimet sekrete serbe po bëjnë gjithçka për të penguar botimin e tyre.

Kush ishte Tito që duan të fshehin
Ndoshta ajo ishte e vetmja që dinte se kush ishte në të vërtetë komunisti i ardhur nga Lubjanka, që krijoi identitetin e supozuar të shokut të tij kroat. Josip Brozi i vërtetë ishte një djalosh që, përpara se të arratisej nga Rusia, kishte punuar si ndihmës i një kovaçi. Veçse, një hamall, nuk mund ta shfaqë veten si fisnik, nuk mund të kalërojë sikur të kishte ndjekur kurse hipizmi, nuk i bie pianos sikur të kishte studiuar në Konservator. Të gjitha cilësi këto, që Tito i kishte të lindura.
Që këtu, teoria që dominuesi i Jugosllavisë ishte në fakt djali i paligjshëm i një fisniku kroat dhe që e kishte rritur gjyshi i tij deri në adoleshencë, merr kuptim.
Por, më vonë, kur Josip Broz u bë mareshali Tito, u zbulua se hamalli i 30 viteve më parë, ndërsa punonte në torno, kishte prerë njërin gisht. Tito që u bë padroni i Jugosllavisë, gjatë gjithë jetës publike u shfaq me doreza lëkure, sido që, gishtat i kishte të gjithë.

© Panorama.al

Te lidhura