Ku ishte lideri i ri i Iranit, Mojtaba Khamenei, kur raketat amerikano-izraelite bombarduan pallatin e të atit dhe familjarëve që humbën jetën! Çfarë zbuloi audio-regjistrimi

Mar 16, 2026 | 20:52

Një klip audio i publikuar dhe i parë nga ‘The Telegraph’ zbulon se Mojtaba Khamenei ishte shënjestër në të njëjtin sulm që vrau të atin dhe anëtarë të tjerë të udhëheqjes së Iranit, por kishte dalë jashtë “për të bërë diçka” pak para se raketat balistike izraelite ‘Blue Sparrow’ të godisnin pallatin në orën 09:32 të mëngjesit sipas kohës lokale, më 28 shkurt.

mojtaba khamenei

Një fjalim i mbajtur nga Mazaher Hosseini, shefi i protokollit për zyrën e Ali Khameneit, para klerikëve të lartë dhe komandantëve të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike ofron rrëfimin e parë të detajuar të asaj që ndodhi brenda kompleksit të udhëheqësit suprem kur u qëllua.

Hosseini zbuloi se Mojtaba Khamenei u plagos në këmbë gjatë sulmeve, ndërsa gruaja dhe djali i tij u vranë menjëherë dhe kunatit të tij iu pre koka.

Trupi i Mohammad Shirazi, kreu i zyrës ushtarake të Khameneit, u “copëtua” gjithashtu. Vetëm “disa kilogramë mish” mund të përdoren për ta identifikuar atë, tha Hosseini në takimin, i cili u zhvillua më 12 mars në lagjen Kolhak të Teheranit.

Mojtaba Khamenei jetonte në të njëjtin kompleks me të atin në kryeqytetin iranian. Atje ndodhej gjithashtu një sallë fetare ku Ali Khamenei mbante fjalime, si dhe shtëpitë e fëmijëve të tjerë të Khameneit.

Më 28 shkurt, Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë të sigurisë u mblodhën për një takim kur raketat goditën kompleksin. Mohammad Pakpour, kreu i IRGC-së, Aziz Nasirzadeh, ministri i mbrojtjes i Iranit, dhe Ali Khamenei ishin midis të vdekurve.

Në regjistrim dëgjohet Hosseini duke thënë:

“Ishte vullneti i Zotit që Mojtaba të dilte në oborr për të bërë diçka dhe pastaj të kthehej. Ai ishte jashtë duke u ngjitur lart kur ndërtesa u godit nga një raketë. Gruaja e tij, znj. Haddad, vdiq menjëherë.”

Hosseini tha se Mojtaba pësoi vetëm “një dëmtim të lehtë në këmbë”. Sipas Hosseinit, sulmet kishin në shënjestër disa vende brenda kompleksit të zyrave njëkohësisht dhe dukej se kishin për qëllim shfarosjen e të gjithë familjes Khamenei.

“Këta djaj kishin menduar të sulmonin vende të ndryshme brenda kompleksit të zyrave – njëra prej tyre ishte rezidenca e udhëheqësit suprem”, tha ai. “Ata e goditën këtë vendndodhje me tre raketa.”

Shtëpia e Mojtabës në katin e sipërm u dëmtua gjithashtu, si dhe rezidenca poshtë, e cila i përkiste kunatit të tij, Misbah al-Huda Bagheri Kani, dhe shtëpia e vëllait të tij, Mustafa, dhe gruas së tij.

© Panorama.al

Te lidhura