FIER- Zgjedhja e kryetarit të Këshillit të Qarkut Fier vazhdon të tensionojë situatën në këtë qytet.
Mësohet se në orët e pasdites godina e Qarkut është rrethuar nga policia pasi simpatizantë të të dyja partive janë grumbulluar para godinës.
Gjatë ditës së sotme, kandidati i Partisë Demokratike, Artur Shehu ka kërkuar të marrë detyrën, pasi u zgjodh në krye të qarkut pak ditë më parë vetëm me votat e këshilltarëve të mazhorancës, por ndërkaq, në zyrën e Këshillit të Qarkut ndodhej, kandidati i PS-së, Vangjel Ndreka, i cili ishte zgjedhur në shtator në krye të Këshillit të Qarkut Fier.
Situata është tensionuar pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Apelit e rrethit Vlorë, vendim të cilin të dyja e palët e kanë interpretuar në favor të tyre.
Vendimi i Gjykatës së Apelit linte në detyrë kandidatin e PS-së, Vangjel Ndreka.
Mësohet se kreu i PS-së, Edi Rama do të jetë në Fier pak më vonë ku do të zhvillojë një takim me simpatizantë të Partisë Socialiste.
© Panorama.al











