Kryekomunari Kumi: Si e fitova Lukovën pa “ombrellë” partie

May 12, 2011 | 10:09

Komuna Lukovë, e cila shtrihet përgjatë detit Jon, ia dha sërish votën Vladimir Kumit. Por, ndryshe nga herët e kaluara, në mandatin e siguruar në zgjedhjet e 8 majit, Kumi garoi si i pavarur dhe jo i zgjedhur nga PD-ja.Një ditë pas fitores, Kumi flet në një intervistë arsyet pse zgjodhi të hynte në garë pa “ombrellën” e një partie, pengesat e hasura rrugës dhe detyrimet që ka për bashkëqytetarët e tij, të cilët e votëbesuan për herë të dytë.
Zoti Kumi, ju tashmë jeni certifikuar për mandatin e dytë për të drejtuar komunën e Lukovës. Si ndiheni një ditë pas fitores?
Nuk kam ndonjë gëzim të madh, më tepër përgjegjësi. Më gëzon fakti që komuniteti im, sidomos stafi që më mbështeti, ndihet shumë i gëzuar për fitoren.
Sa e vështirë ishte ta fitonit këtë mandat? Realisht sa ju shijon kjo fitore?
Ishte një beteje shumë e vështirë, për arsye se politika qeveritare më përjashtoi nga kandidimi për shkak të interesave mafioze që ka në bregdet dhe për këtë shkak, duke i bërë sfidë kësaj lloj politike, kjo fitore më shijon më tepër se çdo gjë tjetër në botë që do të më servirnin në format materiale apo të çfarëdolloj relaksi dhe emocioni tjetër.
Për të dytën herë kryetar i komunës Lukovë, cili është detyrimi juaj ndaj këtij komuniteti që ju ka rivotuar?
Detyrimi im është jashtëzakonisht i madh. Që në spotin tim elektoral, “Nga ju, me ju, për ju”, shkrihem tërësisht brenda këtij komuniteti. E kam për detyrim t’i përkushtohem tërësisht atij.
Ju keni kandiduar si kandidat i pavarur. Cilat janë arsyet që nuk u mbështetët në këto zgjedhje nga PD-ja?
Unë jam anëtar i Partisë Demokratike prej 20 vjetësh. Madje edhe themelues i degës së PD-së Sarandë dhe marrëdhëniet e mia me të kanë qenë jashtëzakonisht të mira. Unë bëra një garë brenda të gjitha strukturave të PD-së brenda komunës Lukovë dhe kryesova bindshëm pothuajse në të gjitha seksionet, por qeveria në qendër, sidomos pas koalicionit me Ilir Metën, por edhe më parë, qëkur iu deshën katër deputetë nga Fatos Nano për të qëndruar në këmbë, vuri në pazar të drejtën e banorëve të Nivicës për Kakomenë dhe që nga ajo kohë kur unë i kundërshtova, madje edhe publikisht, ata nuk dëshironin të kishin nëpër këmbë një kundërshtar të interesave të pista, të cilat vazhdojnë të mbajnë në këmbë këtë qeveri. Për këtë shkak unë kandidova si i pavarur.
Siç dihet, zona e bregdetit të Sarandës ka qenë target i ndërtimeve të shumta. Cili do të jetë kontributi juaj në disiplinimin e tyre, duke marrë në konsideratë interesat e komunitetit të zonës?
Ndryshe nga Bashkia Sarandë dhe komuna Ksamil, komuna Lukovë, si rezultat i këtij qëndrimi të prerë, në këta 4 vjet është mbrojtur maksimalisht nga ky fenomen dhe është ndër komunat që në gjithë bregdetin shqiptar është ruajtur për të qenë më e pastra nga ndërtimet e paligjshme, duke toleruar vetëm ndërtimet që bëjnë banorët për strehim.
Keni deklaruar fill pas fitores se fitorja juaj ishte përgjigje ndaj mafies së ndërtimit në bregdet. A nuk ju duket deklaratë kurajoze kjo?
Eliminimi im nga kandidimi kishte të bënte drejtpërdrejt me këtë fakt. Kryetari i PD-së së Sarandës, i cili në një mënyrë të pistë dhe shumë të errët, i ndihmuar edhe nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, arriti të imponojë, nëpërmjet presionit, edhe Këshillin e Qarkut Vlorë, ka një biznes hekuri dhe çimentoje. Të gjitha ndërtimet në Sarandë dhe Ksamil, pavarësisht se ngandonjëherë goditeshin edhe nga Inspektorati Ndërtimor, më së shumti e blinin këtë hekur e çimento në këtë treg. Në Sarandë dhe Ksamil nuk mund të ndërtohet më. Lukova është një fushë e pafund ndërtimi. Për këtë shkak atyre u duhej një kryetar që ta hiqnin për hunde dhe e gjetën, pavarësisht të kaluarës së tij që nuk përputhej fare me krahun politik, duke shfrytëzuar lidhjet që ka vëllai i kryetarit të PD Sarandë, i cili është dhëndër në Lukovë me këtë person dhe njerëzit që e njohin nuk kanë asnjë dyshim për këtë gjë, pasi e kanë parë që edhe fushatën e tij, por edhe shoqërimin e tij, e bënin pronarët e çekiçëve, të cilët kanë ngelur pa punë dhe gjithë pirateria e tregut të ndërtimit në Sarandë.
Cili do të jetë raporti juaj me qeverinë qendrore në një kohë kur tashmë nuk përfaqësoni asnjë subjekt politik?
Raporti do të jetë institucional. Unë kam shumë miq në qeveri që më mbështetën, por që kishin frikë dhe nuk mund të dilnin hapur kundër qëndrimit zyrtar në lidhje me kandidimin. Unë sot kam marrë urime prej tyre, sikurse kam marrë edhe nga krerët e PS, gjithashtu edhe një telefonatë urimi nga Presidenti i Republikës. Këto besoj se më mjaftojnë për të besuar se mbështetja në të ardhmen do të jetë e gjerë dhe shumë e fuqishme.
Përse ju ka votuar komuniteti i Lukovës?
Sepse unë jam si ata. Jetoj këtu dhe fëmijët e mi mësojnë në të njëjtën shkollë me fëmijët e tyre. Për këtë shkak ata më mirë më besuan mua, se tre kandidatët e tjerë, të cilët erdhën këtu vetëm për t’u bërë kryetarë.
Nga do t’ia nisni tani në mandatin e dytë, cilat punë do të jenë primare për ju dhe komunitetin?
Unë vazhdoj. Nuk jam në fillim të punës. Brenda këtij viti dhe deri në mesin e vitit të ardhshëm do të përfundoj procesin e regjistrimit të pasurive, nga e cila komuna do të ketë më së fundi librin e kadastrës të dixhitalizuar dhe mbi të, deri në fund të vitit të ardhshëm, do të ndërtohet plani urbanistik i të gjitha fshatrave të komunës që kanë impakt të drejtpërdrejtë me detin. Duke pasur regjistrin kadastral dhe një plan urban të përfunduar, financat e komunës do të bëhen më të shëndetshme për të kryer shërbime më të mëdha dhe më cilësore. Gjithashtu, ka projekte të gatshme në infrastrukturën rrugore, sistemimin e qendrave të fshatrave për t’i kthyer ato në qyteza të vërteta siç është në shtetet fqinje të BE.

 

SARANDE/ SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura