Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se administrata e tij po shqyrton mundësinë e arrestimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, nëse ai do të vizitojë Nju Jorkun, siç pritet, për sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator.
“Besoj se kryeministri Netanyahu duhet të gjykohet në Hagë”, tha Mamdani në një intervistë për The New York Times, duke iu referuar selisë së drejtësisë ndërkombëtare në Hagë. “Ai është një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare”, shtoi ai.
Deklaratat e tij shkaktuan reagime të menjëhershme nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e akuzoi Mamdanin se “mbështet Hamasin”. Në të njëjtën linjë reagoi edhe ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, i cili deklaroi se “ai që duhet të arrestohet është Mamdani”, duke e akuzuar kryebashkiakun për dështim në drejtimin e qytetit.
“Netanyahu është një kriminel lufte, i akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Ky është një vlerësim që ndahet nga shumë njerëz për shkak të veprimeve të tij gjatë viteve të fundit”, vijoi Mamdani.
Megjithatë, ai pranoi se nuk ka siguri nëse ka autoritetin ligjor për të urdhëruar Departamentin e Policisë së Nju Jorkut të ndalojë një udhëheqës të huaj.
“Jemi në konsultime aktive me zyrën ligjore. Do të bëjmë gjithçka që më lejon ligji, por nuk do të krijojmë ligje të posaçme për këtë qëllim”, theksoi ai.
Sipas The New York Times, Mamdani kishte premtuar edhe gjatë fushatës zgjedhore se do të urdhëronte arrestimin e Netanyahut në rast se ai do të vizitonte qytetin.
Kryeministri izraelit e hodhi poshtë këtë kërcënim, duke e akuzuar sërish kryebashkiakun për mbështetje ndaj Hamasit dhe duke deklaruar se nuk është i shqetësuar nga komentet e tij.
© Panorama.al












