
Vrasja e 37-vjeçarit Viktor Krosi në Bushnesh të Krujës është kryer me armën e punës të efektivit të policisë së komisariatit të këtij rrethi.Ekspertiza e kryer mbi krimin e së shtunës mbrëma, ka nxjerrë përfundimin se Llesh Krosi ka qëlluar me pistoletën që mbante si efektiv i policisë kushëririn e tij, baba i tre fëmijëve. Pas shoqërimit të tij, bashkë me të vëllain, Anton Krosin dhe të birin, policia e Krujës ka mbajtur në qeli punonjësin e saj, me akuzën e “vrasjes së kryer në bashkëpunim”. I vetmi që është lënë i lirë ka qenë djali i të arrestuarit. Nga burimet e policisë së Krujës bëhet e ditur se hetimet kanë treguar se organizimi i vrasjes është bërë nga të dy vëllezërit Krosi, ditën e shtunë, ku mbeti i vdekur pas një atentati kushëriri i tyre, Viktor Krosi, në prezencë të birit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës mësohet se ka qenë arma e policit që është shkrehur ndaj Viktor Krosit dhe, për pasojë, edhe efektivi i policisë e ka pranuar akuzën. Në deklarimet e tij, Llesh Krosi ka deklaruar se ai kishte dalë për t’u sqaruar me kushëririn e tij, por situata kishte degjeneruar e më pas ai nuk ishte përmbajtur, duke qëlluar djalin e xhaxhait të tij, Viktor Krosin. Sipas të njëjtave burimeve mësohet se sot pritet që tashmë dy të arrestuarit, Llesh Krosi dhe Anton Krosi, të njihen edhe me akuzën zyrtare ndaj tyre dhe pritet të merret edhe masa e arrestit. Vëllai i policit akuzohet për bashkëpunim në vrasjen e kushëririt. Policia e Krujës konfirmon se shkak për krimin u bënë disa përplasje mes familjeve, ndonëse të një fisi, lindur për motive pronësie. Viktor Krosi u qëllua për vdekje me 5 plumba pistolete, pak metra para se të arrinte në banesën e tij, në fshatin Bushnesh të Krujës. Ai po kthehej me karrocën me kalë, me të cilën transportonte ushqim për bagëtitë, bashkë me të birin. Dy kushërinjtë i kanë dalë para mbrëmjen e së shtunës, duke i kërkuar që të ndalte karrocën. Pasi zbritën prej saj djalin e mitur të 37-vjeçarit Krosi, qëlluan ndaj tij 5 herë. Sipas dëshmisë së dhënë prej të arrestuarve në polici, krimi erdhi si pasojë e vetëmbrojtjes. Llesh e Anton Krosi kanë pohuar se ata kanë kërkuar të sqarohen me Viktor Krosin, pasi ky i fundit pak ditë më parë tentoi të qëllonte ndaj tyre. Për shkak të afrimitetit, sipas tyre, nuk kanë bërë denoncim, duke tentuar ta sqarojnë çështjen. “Por kërcënimi sërish i Viktorit se do të na vriste, ka bërë që të humbasim toruan dhe ta qëllojmë”, kanë pohuar dy personat në komisariatin e Krujës.
5 plumba
pistolete i morën jetën 37-vjeçarit Viktor Krosi, nga fshati Bushnesh i Krujës. Babai i tre fëmijëve u ekzekutua nga dy kushërinjtë e tij, të cilët u arrestuan nga policia, duke pranuar dhe krimin
KRUJE/ ROLAND NIKOLLI











