
DUBROVNIK- Autoritetet portuale kroate kanë njoftuar gjetjen e dy kufomave në ujërat e tyre, në afërsi të Dubvrovnikut. Dyshohet se kufomat janë pjesë e ekuipazhit të anijes turke “Reina 1”, mbytur në fund të tetorit, gjatë përplasjes me tragetin “Ankara”, rreth 20 milje nga bregu i Durrësit.
Pas marrjes së lajmit, mësohet se autoritetet portuale të Durrësit kanë bërë njoftimet rastit, mes tyre edhe ambasadorin turk në Shqipëri. Raportohet se ambasadori është nisur me urgjencë drejt Kroacisë për të bërë të mundur identifikimin e trupave.
Anija ‘Reina 1’, mëngjesin e 20 tetorit u fundos, pasi u përplas me tragetin me pasagjerë ‘Ankara’, i cili po udhëtonte nga Durrësi drejt Barit. Nga ekuipazhi i anijes shpëtuan dy persona, ndërsa 8 marinarët e tjerë u deklaruan të zhdukur, pasi edhe pas shumë kërkimesh në det operacioni përfundoi pa sukses për gjetjen e trupave.











