Lufta në Iran po shkakton krizën më të madhe energjetike të të gjitha kohërave, sipas kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol, i cili paralajmëroi se do të duhen të paktën gjashtë muaj që rrjedhat e naftës dhe gazit nga rajoni i Gjirit të rikthehen plotësisht.
Birol vuri në dukje se ndërprerja e rrjedhave të gazit natyror është dyfishi i asaj të përjetuar në vitin 2022 për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Ai tha gjithashtu se humbja e naftës është edhe më e madhe se tronditjet e viteve 1970, të cilat shkaktuan recesione dhe kufizime të karburantit në të gjithë botën.
Çmimet e naftës arritën gati 120 dollarë për fuçi javën e kaluar, ndërsa Izraeli dhe Irani nisën sulme me raketa ndaj qendrave strategjike të energjisë në Gjirin Persik, duke përfshirë fushën e gazit South Pars dhe kompleksin masiv Ras Laffan të Katarit. Pavarësisht tensionit, Birol tha se politikanët dhe tregjet ende po e nënvlerësonin shkallën e krizës.
Ai theksoi se problemi do të rritej për sa kohë që rrjedhat e energjisë nga Lindja e Mesme, e cila eksporton 20 përqind të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë, mbeten të bllokuara.
“Njerëzit e kuptojnë se kjo është një sfidë e madhe, por nuk jam i sigurt nëse e kuptojnë plotësisht thellësinë dhe pasojat e situatës”, tha ai në një intervistë.
Edhe nëse lufta mbaron dhe Ngushtica e Hormuzit rihapet, Birol vuri në dukje se “do të duhet shumë kohë” për të rivendosur fushat e naftës dhe gazit natyror, shumë prej të cilave janë mbyllur ose dëmtuar.
“Do të duhen gjashtë muaj që disa zona të rihapen, ndërsa të tjerat do të duhet shumë më tepër kohë”, tha ai.
Birol tha se shkatërrimi i arterieve jetësore, të cilat ndikojnë në furnizimet globale të plehrave kimike, petrokimikateve, si dhe squfurit dhe heliumit, do ta godasin rëndë ekonominë globale.
“Këto produkte janë jetësore për ekonominë globale”, tha ai.
Javën e kaluar, IEA njoftoi lirimin e 400 milionë fuçive naftë dhe produkteve të rafinuara nga rezervat globale për të lehtësuar mungesat në treg, një sasi që përfaqëson vetëm 20% të rezervave të saj.
“Ne ende kemi 80% në duart tona”, tha Birol, duke shtuar se kishte qenë në bisedime me vende si Kanadaja, Meksika, Brazili dhe Norvegjia për të rritur prodhimin e naftës dhe gazit.
Megjithatë, ai theksoi se flukset shtesë nuk do ta zgjidhin humbjen e energjisë nga Lindja e Mesme.
“Veprimi më i rëndësishëm është rivendosja e kalimit nëpër Ngushticë”, tha ai.
© Panorama.al













