Kriza, Greqia mbyll 2 dogana me Sarandën

Jan 12, 2012 | 12:35

IGUMENICE- Kriza detyron shtetin grek të mbyllë edhe doganat në pikat kufitare me Shqipërinë. Me urdhër të Ministrisë greke të Ekonomisë, prej 1 shkurtit të këtij viti do të pushojnë së funksionuari disa pika kufitare e dogana. Urdhri i ministrit grek të Ekonomisë prek edhe dy pika doganore që ndodhen në kufirin shqiptaro-grek, që lidh Sarandën me gjithë rajonin e Thesprotisë. Bëhet fjalë për pikën e kalimit kufitar të Abelonës, në afërsi të fshatrave Karroq e Zminec, e njohur nga ana shqiptare si pika e kalimit kufitar të Rripsit, e hapur katër vite më parë. Kjo pikë kufitare ka funksionuar vetëm për këmbësorë, pasi pala shqiptare nuk ishte e përgatitur për të kryer shërbime edhe për automjetet. Ndërkohë mësohet se do të pushojë së funksionuari dhe dogana e Sajadhës, ku mjaft shtetas kryenin zhdoganimet pas kalimit të kufirit shqiptaro-grek. Sipas mediave greke, mbyllja e pikave doganore kryhet me qëllim zvogëlimin e kostove operative, duke lënë të funksionojnë vetëm doganat e mëdha. Me urdhrin e fundit të Ministrisë greke të Ekonomisë, e vetmja pikë kufitare dhe doganore që do të funksionojë mes Sarandës me Thesprotinë dhe Igumenicën, do jetë ajo e Qafë-Botës nga pala shqiptare dhe Mavromatit nga pala greke.                             sh.d

© Panorama.al

Te lidhura