Agjencia amerikane e vlerësimit “Standard & Poor’s” ka ulur në një besueshmërinë e Italisë, duke i dhënë një tjetër goditje eurozonës. Tashmë, Italia renditet ndër vendet më të rrezikuara europiane për borxhin e brendshëm. Deri më tani, Italia vlerësohej me “A+” për kreditë afatgjata, por agjencia njoftoi se ky vlerësim ishte i detyrueshëm të ulej me “A”. Sipas “S&P” arsyeja ka të bëjë me perspektivat e dobëta për zhvillim dhe vlerësimet se koalicioni aktual kufizon përpjekjet e Romës, për të reaguar në mënyrë të vendosur kundër krizës së borxheve. Kjo agjenci e uli vlerësimin e saj, edhe pse Parlamenti italian aprovoi disa ditë më parë një paketë kursimesh prej 54 miliardë eurosh. Por, Kryeministri italian beson se ulja e vlerësimit të Italisë nuk ka ardhur nga performancat reale ekonomike në vend, por është pasojë e zmadhimeve në raportimet mediatike, duke mos ngurruar ta quajë këtë një vlerësim politik. Agjencia është kundërpërgjigjur.
“Vlerësimet sovrane të ‘Standard & Poor’s’ janë vlerësime apolitike dhe tregojnë perspektivën e rrezikut të kreditit që u paraqitet investitorëve”, ishin deklaratat e kësaj agjencie dorëzuar në “Ansa”. Silvio Berluskoni ka deklaruar në një mesazh të tij se “vlerësimet” e agjencisë “duken të përkëdhelura më shumë nga konsideratat politike sesa nga faktet reale”. Kryeministri italian ka sulmuar mediat, duke ia atribuuar “prapaskenave të gazetave” vendimin e “Standard&Poor’s”. “Qeveria e ka marrë gjithmonë besimin e Parlamentit, duke treguar kështu soliditet të shumicës së saj”, thuhet në mesazhin e dërguar për mediat italiane nga Kryeministria italiane. E megjithatë, ai pranon se masat për rritjen ekonomike po mendohen nga qeveria. Vendimi i “S&P” e ka rritur sërish shqetësimin për shërimin e eurozonës, e cila u përball me problemin e saj më të madh që pas situatës së borxhit të Greqisë. Ky vend pritet të përballet me kriza të reja, për shkak të masave të tjera të kursimit që do të marrë qeveria këto ditë, përfshirë edhe shkurtimin e 100 mijë vendeve të punës.
Greqi, kriza ekonomike rrit vetëvrasjet
Kriza ekonomike në Greqi ka sjellë edhe drama të tjera për këtë vend, duke rritur në mënyrë të ndjeshme numrin e vetëvrasjeve. Sipas “Wall Street Journal”, të dhënat zyrtare të Ministrisë greke të Shëndetit tregojnë se ka pasur një rritje prej 40 për qind të numrit të vetëvrasjeve gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas gazetës, në të vërtetë numri i vetëvrasjeve mund të jetë shumë më i madh, pasi në Greqi vetëvrasja konsiderohet e turpshme dhe familjarët mundohen t’i quajnë aksidente vdekjet e të afërmve. Disa të tjerë përpiqen t’i japin fund jetës së tyre në mënyrë super të dukshme si rasti i fundit i një burri, që i vuri flakën vetes për shkak të krizës ekonomike, të premten e kaluar, para një banke në Selanik. Organizata “Klimaka”, e cila merret me telefonatat që sinjalizojnë vetëvrasjet, ka pasur raste që ka regjistruar dhjetë telefonata të tilla në ditë. “Por ka ditë që regjistrohen edhe 100 telefonata”, tha psikologu Aris Violatzis. Ata që telefonojnë, janë kryesisht burra të shkatërruar financiarisht, të moshave 35 deri në 60 vjeç. “Kanë humbur identitetin e tyre, nuk mund të çojnë më bukë në shtëpi dhe nuk ndihen më burra, sipas standardeve tona kulturore”, shpjegoi Violatzis.











