Kritikat e Shoqatës së Prokurorëve, reagon Rama: S’ka pasur asnjë tentativë për t’u ulur pagat gjyqtarëve! Po punojmë për ndërtimin e një Poli të Drejtësisë

Feb 4, 2026 | 12:55

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj qëndrimit të shoqatës së prokurorëve, në lidhje me debatin për rritjen e pagave të gjyqtarëve.  Kreu i qeverisë, e cilëson qëndrimin e tyre si absurd, duke theksuar se bëhet fjalë për kategorinë më të privilegjuar në piramidën e pagave të shtetit shqiptar.

edi rama 1

“Mosngritja e pagës aq sa dëshirohet, po interpretohet si ulje page”, shkruan Rama, duke e quajtur këtë arsyetim të pabesueshëm, por fatkeqësisht real.

LEXO EDHE: “Retorikë që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve”- Debati për rritjen e pagave, reagon Shoqata e Prokurorëve: Gjykimi kushtetues të përfundojë i pandikuar nga çdo presion

Kryeministri Rama thekson se  qeveria nuk ka pasur asnjëherë qëllim apo nismë për uljen e pagave të gjyqtarëve, përkundrazi, sipas tij, vëmendja ndaj pushtetit gjyqësor, thotë ai, ka qenë e lartë.

Rama bëri të ditur se prej gati një viti po punohet për ndërtimin e një “Poli Drejtësie”, që synon të ofrojë kushte pune dhe paga për trupën e drejtësisë ndër më të mirat në rajon.

Reagimi i Edi Ramës

Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!!

Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!

A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi?

Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!

Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!

Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë!

Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!

Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re:

Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës,  a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!

© Panorama.al

Te lidhura