“Kriteri i moshës, mentalitet komunist”- Murrizi kritik me partinë: U vra gara në PD! Promovimi me votë, jo se sa i pëlqen Berishës apo Flamurit!

Jul 14, 2026 | 14:57

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, lëshoi kritika të forta ndaj kupolës drejtuese të partisë, duke kërkuar heqjen e mentalitetit komunist dhe zgjedhjen e përfaqësuesve të saj vetëm nëpërmjet votës së mbështetësve dhe jo nëpërmjet preferencave të liderëve.

myslim murrizi

Në një intervistë të dhënë në lidhje direkte m studion e News24 ditën e sotme, kandidati për deputet në zgjedhjet e 11 majit 2025, shpjegoi edhe arsyet e qëndrimeve të tij ndaj situatës politike të krijuar në parti, por edhe në aktualitetin më të fundit, përfshi dhe protestën.

“Çdo kandidat të kishte disa ditë në dispozicion. Anëtarët e Këshillit Kombëtar ishin të papërgatitur, si mund të hyjnë në garë pa ditur asgjë për këtë garë. U kapën të papërgatitur edhe vetë ata. Kandidatët duhet të lobojnë për vota për zgjedhjet në PD. Praktikë hajdutçe. Nuk e di kush e ka shpikur këtë variant atje të çuditshme. Kujt i fshihet PD-ja, pse duhet të jetë parti e sekondave apo minutave të fundit, kujt i intereson kjo? Politika ka vetëm votën, çdo gjë tjetër është e pistë jashtë votës”, tha ish-deputeti mes të tjerash.

Murrizi u deklarua kundër kriterit të moshës që ka vendosur PD për zgjedhjen e drejtuesve, duke kritikuar edhe kryetarin Berisha. Sipas tij, zgjedhja e drejtuesve të PD nuk duhet bërë me moshë e preferencë, por me votë.

“Çfarë është ky promovim, me kriter moshe? Nuk jemi në futboll këtu apo sport. Është çështje dinjiteti dhe karakteri, që të shihet se sa i votuar je dhe jo sa i pëlqen Berishës apo sa i pëlqen Flamurit. Unë personalisht jam kundër kriterit moshë. Komunizmi thoshte se sa duhen në Kuvend, në qeveri etj.”, tha ai.

Murrizi nënvizoi se gara në PD është vrarë që prej vitit 2008, kur Berisha dhe Rama bënë ndryshimet Kushtetuese dhe ku deputetët zgjidhen nga kryetarët e partive.

“Pra gjithçka të zgjidhet me garë, problemi i PD është mungesa e garës. Nuk është më gara rang karriere në PD, por sa rri në oborr, kush ndjek Berishën nga pas dhe ta hedhësh foton në instagram që të dojë Berisha. 43 deputetë janë pa garë, pa votë. Vrasja e garës u bë që më 2008 nga Rama dhe Berisha me ndryshimet Kushtetuese. Gjeni të jenë këta nuk i mbajnë dot tre kunguj në një sqetull, as një kungull nuk mbajnë dot këta, jo të mbajnë tre. Ky është mentalitet komunist dhe ide e qelbur bolshevike”, tha ai.

Murrizi ka kërkuar që kandidatët për postet e larta të bëhen publikë përpara mbledhjes, duke e cilësuar të pakuptimtë mbajtjen e tyre fshehur deri në minutën e fundit. Sipas tij, kjo praktikë e dëmton garën dhe nuk i lihet kohë anëtarëve të njihen me emrat apo kandidatëve të lobojnë.

“Ne jemi parti politike ligjore dhe Këshilli Kombëtar duhet të njihet me kandidatët para se të shkojë në procesin e votimit. Leximi i emrave në mbledhje i gjen anëtarët të papërgatitur. Nuk e di pse është ky sekret i minutave të fundit. Edhe listat e kandidatëve për deputetë çohen fshehurazi në fund të afatit. Nuk e di pse një parti në opozitë ka ndonjë siklet që nuk i bën publike këto emra”, deklaroi Murrizi.

Ai i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Berishës të heqë dorë nga ky model drejtimi dhe të lejojë një fushatë të hapur brenda partisë.

“Kandidatët që ka në mendje Berisha le t’i bëjë publikë para mbledhjes së këshillit kombëtar. Nuk ka pse mbahet partia top sekret nga të gjithë. Çfarë te keqe do sillte që të kishim 3 ditë fushatë për ata që synojnë postet e larta në PD?”, vijoi ai.

Dhe në fund hodhi dyshime se disa nuk e duan PD-në fituese:

“Ti nuk e do PD fituese nëse urren njerëzit që kanë vota dhe promovon njerëzit që nuk kanë kokërr vote!”.

© Panorama.al

Te lidhura