Abuzimi 700 mijë euro me fondet e Postës Shqiptare, shkarkohet drejtoresha e degës së Durrësit, nisin hetime për zyrtarët e tjerë, u kallëzuan në prokurori

Jul 14, 2026 | 14:30

Hije skandali në Postën Shqiptare në Durrës.

elisabeta mataj posta

Hetimet e deritanishme ngrejnë dyshime për shpërdorimin e një shume prej 700 mijë eurosh. Por ka dyshime se ky dëm mund të shkojë deri në 3 mln euro.

Denoncimi është bërë nga vetë Posta Shqiptare në Prokurori dhe abuzimet dyshohet se kanë nisur nga tetori i vitit të kaluar.

Për pasojë ka ardhur edhe masa e parë që ka qenë shkarkimi i drejtoreshës së degës Elisabeta Mataj (foto poshtë). Gjithashtu mësohet se është dorëhequr dhe shefja e financës, Valbona Duni.

Prokuroria po vijon hetimet edhe ndaj punonjësve apo zyrtarëve të tjerë të Postës. Dëmi nga tetori i vitit 2025 dhe punonjësit gjithashtu janë kallëzuar nga drejtoria qendrore, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit abuziv.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Posta Shqiptare përmes një njoftimi zyrtar, ku thuhet se gjatë kontrolleve janë konstatuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Po ashtu Posta Shqiptare thekson se ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe e ka referuar rastin në prokurori, duke depozituar kallëzim penal.

Elisabeta Mataj u emërua në krye të filialit të Postës në Durrës në tetor të vitit 2025, pasi zëvendësoi Etleva Budinin, e cila u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit.

elisabeta mataj

Njoftimi i Postës Shqiptare:

Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.

Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.

Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.

Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit”.

© Panorama.al

Te lidhura