
Kristiano Ronaldo ka një duel të përhershëm dhe tejet të fortë me yllin argjentinas të Barcelonës, Lionel Mesi. Përveç “armiqësisë” së dy klubeve të mirënjohura iberike, Real Madrid dhe Barcelona, në këtë “aks” ekziston edhe një revansh mes dy superlojtarëve respektivë në këto dy kampe. Në këtë linjë ka shkuar edhe deklarata e fundit, mjaft interesante, e bërë nga portugezi i “Los Blancos”, Kristiano Ronaldo. Ky i fundit ka spikatur me krahasimet e tij, lidhur me “pleshtin” e Barcelonës, Lionel Mesi. ”Unë jam si Ferrari, Mesi është si Porsche” – ka deklaruar Ronaldo. Ky komenti i bërë prej yllit portugez po shihet si një deklaratë nxitëse e debatit mes Realit dhe Barcelonës, në një moment kur të besuarit e Hoze Mourinjos kryesojnë “La Liga”-n, janë të pandalshëm në këtë edicion të ri, ndërsa katalanasit e Guardiolës kanë shfaqur vështirësi herë pas here dhe gjenden 3 pikë pas madrilenëve në klasifikimin e momentit. Nëse u referohesh cilësisë së dy makinave, të marra në referim nga Kristiano Ronaldo, del e qartë se portugezi ka dashur të nënkuptojë se vlen më shumë se Lionel Mesi. Gjithsesi, trofetë e fituar vitet e fundit nga argjentinasi dëshmojnë të kundërtën në realitet. Mbetet të shihet ku do të shkojë “Topi i Artë” për vitin 2011, çmim për të cilin janë të listë dhe superfavoritë të dy këta lojtarë klasi.











