
SARANDE – Ende nuk ka një pistë konkrete për të përcaktuar shkakun se pse ka ndodhur ngjarja e një dite më parë në fshatin Berdenesh të Sarandës, që çoi 72-vjeçarin Ismail Lelaj të qëllojë me pistoletë mbi bashkëshorten e tij, 55-vjeçaren Thëllëza Lelaj. Sipas burimeve policore të Sarandës, mësojmë se janë marrë në pyetje shumë persona. Personat e pyetur janë kryesisht banorë të lagjes ku jetonte

çifti Lelaj. Çuditërisht, të pyeturit, ndërsa janë shprehur se çifti Lelaj ishin punëtorë dhe të rregullt në lagje, kanë heshtur kur pyeteshin për sjelljen e viktimës. Burime që nuk duan të identifikohen thonë se grindja mes çiftit dyshohet se mund të ketë nisur fillimisht në mjediset e shtëpisë, në një nga dhomat e vogla dhe se duhet të ketë qenë gruaja e para që ka nisur grindjen. Dyshohet se ajo e ka goditur me sende të forta bashkëshortin e saj dhe është larguar jashtë shtëpisë për t’u arritur mandej nga 72-vjeçari Ismail Lelaj jashtë shtëpisë te rrugica ku ndodhej një lopë. Gjatë gjithë rrugës, nga banesa deri te vendi ku 55-vjeçarja është goditur për vdekje, ka pasur pika gjaku. Hetimet ende vijojnë për të zbardhur momentet e fundit të krimit, ndërsa do të konfirmohet dhuna para vrasjes së dyfishtë nga raporti i mjekëve ligjorë. sh.d











