Një urdhër i ri ndërkombëtar arresti u lëshua në Paris kundër Bashar al-Assad, për sulmet vdekjeprurëse kimike të vitit 2013, duke e çuar në tre numrin e tyre nga drejtësia franceze, kundër ish-presidentit sirian, i cili jeton në mërgim në Rusi.
Ky urdhër arresti për bashkëpunim në krime kundër njerëzimit dhe krime lufte u nënshkrua më 29 korrik nga prokurorët e Parisit, tha sot një burim gjyqësor për AFP-në, disa ditë pasi një urdhër arresti i mëparshëm për të njëjtën çështje u anulua.
Më 25 korrik, Gjykata e Kasacionit, në emër të imunitetit të një kreu shteti në detyrë, anuloi urdhrin e arrestit të lëshuar në nëntor 2023, kur Assad ishte ende president i Sirisë. E njëjta gjykatë kishte sqaruar se mund të lëshoheshin urdhër-arreste të reja kundër presidentit sirian, i cili u rrëzua nga pushteti në dhjetor 2024.
Po atë ditë, Zyra e Prokurorit Kombëtar Antiterrorizëm (Pnat) e Francës, përgjegjëse për krime kundër njerëzimit, kërkoi një urdhër të ri arresti për Assadin.
Sulmet kimike që i atribuohen regjimit sirian ndodhën më 5 gusht në Andra dhe Douma (450 të plagosur) dhe më pas më 21 gusht 2013 në Gutën Lindore, ku më shumë se një mijë njerëz u vranë nga gazi sarin, sipas agjencive të inteligjencës amerikane.
Për të njëjtin rast, një urdhër arresti u lëshua më 16 korrik kundër Talal Makhlouf, ish-komandant i Brigadës së 105-të të ushtrisë siriane, sipas një burimi gjyqësor.
Për më tepër, në nëntor 2023 u lëshuan urdhër-arreste kundër Maher al-Assad, vëllait të presidentit sirian dhe komandantit të Divizionit të 4-t të Blinduar të ushtrisë në kohën e ngjarjeve, dhe dy gjeneralëve, Ghassan Abbas dhe Bassam al-Hassan.
Dy urdhër-arreste të tjera të lëshuara nga gjykatat franceze synojnë Assadin. Njëra u lëshua më 20 janar 2025, për bashkëpunim në një krim lufte, për bombardimin e një zone banimi në provincën Deraa (Siria jugperëndimore) në vitin 2017.
Tjetra ka të bëjë me bashkëpunimin në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe u lëshua më 19 gusht, që lidhet me bombardimin e një qendre shtypi në provincën Homs (Siria qendrore) në vitin 2012, në të cilën humbën jetën gazetarja amerikane e Sunday Times, Marie Colvin, dhe fotografi francez i pavarur, Remi Oslik.
Gazetarja franceze Edith Bouvier, fotografi britanik Paul Conroy dhe përkthyesi i tyre sirian Wael al-Omar, u plagosën në këtë sulm.
Ish-lideri i fortë i Damaskut mund të gjykohet në Francë edhe në mungesë nëse prokurorët e kërkojnë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) nuk ka juridiksion mbi krimet ndërkombëtare të kryera në Siri, pasi vendi nuk e ka ratifikuar Statutin e Romës. Asnjë rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk e ka urdhëruar Assadin të dalë në gjyq.
© Panorama.al











