TIRANË- Tryeza e PS me aleatët ka pasur në qendër të saj diskutimin për reformën zgjedhore. Sipas Prec Zogajt, në takim u diskutua për garantimin e parimit një shqiptar një votë, numërimin elektronik, rindërtimin e KQZ për një administrim të ri edhe në bazë të rekomandimeve të OSBE.
“U diskutua për cështje të sistemit, opozita është për nevojën e një sistemi të korrektimit proporcional kombëtar, por do të vazhdojë të kontribuojë që kjo kërkesë të realizohet, pa u bërë pengesë për realizimin e kërkesave të tjera”- tha Zogaj.
Sipas tij, reforma zgjedhore nuk është cështje e një pale. “Opozita do ngulmojë edhe për ndryshimin e sistemit, por kërkesat nuk janë kusht për të bllokuar procesin”- tha ai.
Më tej Zogaj sqaroi se në takim u fol edhe për cështje programore. “Tani që PS ka program të gjerë të publikuar, do të përfshihen zgjidhje nga partitë aleate, për të pasur program të përbashkët ku do të integrohen specifikat e partive të koalicionit, përfshirë cështjet madhore të problemit të pronës dhe ato që kanë të bëjnë me modelin ekonomik me orientim prodhues”- theksoi ai .
© Panorama.al











